Mes dy gjuhëve, fjalëve që vijnë me ritme të ndryshme dhe heshtjeve që shqetësojnë prindërit, jo çdo vonesë është ajo që duket. Dallimi fshihet te mënyra se si fëmija kupton, komunikon dhe përparon.
Zyla Musliu, Logopede në Psikiatri për fëmijë dhe adoleshentë Tel. 045 663 774 Në shumë familje shqiptare, fëmijët rriten duke dëgjuar shqipen në shtëpi dhe gjuhën e vendit pritës në çerdhe, kopsht, shkollë e shoqëri. Kur fjalët e para vonohen, kur fëmija i përzien gjuhët ose përgjigjet vetëm në njërën prej tyre, prindërit shpesh frikësohen se dygjuhësia po e pengon zhvillimin e tij.
Megjithatë, jo çdo ndryshim në ritmin e të folurit është shenjë e një problemi. Zhvillimi gjuhësor i fëmijëve dygjuhësh ka veçoritë e veta dhe duhet vlerësuar duke marrë parasysh të dyja gjuhët, mënyrën e komunikimit dhe përparimin e përgjithshëm. E rëndësishme është të kuptohet se çfarë konsiderohet pjesë normale e këtij zhvillimi dhe cilat shenja kërkojnë këshillim me logopedin.
Dygjuhësia dhe zhvillimi i të folurit Dygjuhësia, në vetvete, nuk shkakton vonesë në të folur dhe as çrregullim gjuhësor. Fëmijët mund t’i mësojnë dy ose më shumë gjuhë që nga lindja pa u hutuar. Përshtypja se fëmija di më pak fjalë krijohet sepse fjalori i tij ndahet mes dy gjuhëve. Një fëmijë mund të përdorë 25 fjalë në shqip dhe 25 në gjuhën e vendit ku jeton.
Nëse vlerësohet vetëm në njërën gjuhë, mund të duket sikur ka fjalor të kufizuar; por në të dyja gjuhët ai përdor gjithsej 50 fjalë. Prandaj, duhet vlerësuar komunikimi i përgjithshëm: a kupton, a përdor gjeste, a ndërvepron dhe a përparon nga muaji në muaj. Si i përpunon truri dy gjuhë Truri i fëmijës është i aftë t’i përvetësojë paralelisht dy ose më shumë gjuhë.
Fëmija mëson gradualisht se cilën gjuhë përdor me familjen, në kopsht apo me shokët. Në vitet e para, të dyja gjuhët janë aktive dhe ndikojnë te njëra-tjetra. Kjo nuk është shenjë konfuzioni, por pjesë normale e zhvillimit. Me kalimin e kohës, fëmija mëson ta zgjedhë gjuhën sipas personit dhe situatës.
Mund të ketë dallime individuale prej disa muajsh në shfaqjen e fjalëve të para, ashtu si edhe te fëmijët njëgjuhësh. Shumica e fëmijëve e thonë fjalën e parë rreth moshës njëvjeçare dhe bashkojnë dy fjalë rreth moshës dyvjeçare. Dygjuhësia nuk duhet përdorur si shpjegim automatik kur fëmija nuk flet ose nuk përparon.
Vonesë normale apo çrregullim gjuhësor Të folurit lidhet me shqiptimin dhe prodhimin e fjalëve; gjuha me kuptimin, fjalorin, gramatikën dhe shprehjen e mendimeve. Një fëmijë me zhvillim normal dygjuhësh mund ta ketë njërën gjuhë më të fortë dhe disa fjalë t’i dijë vetëm në njërën prej tyre. Ai mund edhe t’i përziejë gjuhët brenda së njëjtës fjali.
Megjithatë, komunikon, përdor gjeste, kupton udhëzime, mëson fjalë të reja dhe tregon përparim. Kur ekziston një çrregullim i vërtetë gjuhësor, vështirësitë zakonisht shfaqen në të dyja gjuhët. Fëmija mund të ketë probleme në kuptimin e udhëzimeve, mësimin e fjalëve, ndërtimin e fjalive, gramatikën ose zhvillimin e një bisede.
Prandaj, fëmija dygjuhësh nuk duhet vlerësuar vetëm me teste për fëmijë njëgjuhësh. Logopedi duhet të marrë parasysh të dyja gjuhët, historinë e zhvillimit, ekspozimin ndaj secilës dhe komunikimin në situata të ndryshme. Shenjat që kërkojnë vlerësim profesional Prindërit nuk duhet të presin një moshë të caktuar nëse vërejnë mungesë të dukshme të komunikimit.
Vlerësimi i hershëm ndihmon të dallohet një ndryshim individual nga problemi i dëgjimit ose vështirësia gjuhësore. Rreth moshës njëvjeçare kërkon vëmendje nëse fëmija nuk belbëzon, nuk përdor gjeste, nuk tregon me gisht, nuk imiton tinguj ose nuk reagon ndaj emrit. Në moshën 15–18 muajsh, mungesa e çdo fjale kuptimplotë duhet diskutuar me pediatrin ose logopedin.
Rreth moshës dyvjeçare është shqetësuese nëse ka shumë pak fjalë në total në të dyja gjuhët, nuk bashkon dy fjalë spontanisht ose nuk tregon përparim. Nga mosha dy deri në tre vjeç duhet kërkuar këshillë nëse nuk përdor shprehje të shkurtra, nuk arrin t’i shprehë nevojat ose nuk kupton kërkesa të thjeshta.
Pas moshës trevjeçare shqetësojnë mungesa e fjalive, vështirësia për t’iu përgjigjur pyetjeve të thjeshta dhe pamundësia për të zhvilluar komunikim funksional. Në çdo moshë, humbja e fjalëve ose aftësive të fituara më parë duhet vlerësuar pa vonesë. Vëmendje kërkojnë edhe mungesa e kontaktit, e lojës simbolike, frustrimi gjatë komunikimit dhe dyshimi se fëmija nuk dëgjon mirë.
Kontrolli i dëgjimit është i rëndësishëm, sepse edhe një ulje e lehtë mund të ndikojë në zhvillimin e gjuhës. Përzierja e gjuhëve është pjesë e zhvillimit Përzierja e fjalëve ose strukturave të dy gjuhëve është e zakonshme. Fëmija mund të përdorë një fjalë nga gjuha tjetër sepse i vjen më shpejt në mendje, sepse e njeh vetëm në atë gjuhë ose sepse kështu flasin njerëzit përreth tij.
Kjo nuk do të thotë se ai nuk i dallon gjuhët. Shpesh e di cilën gjuhë përdor secili person, por zgjedh mënyrën më të shpejtë për ta përcjellë mesazhin. Nuk ekziston një moshë e prerë pas së cilës përzierja konsiderohet jonormale. Edhe të rriturit dygjuhësh e bëjnë këtë. Me rritjen e fjalorit, fëmija mëson t’i ndajë më mirë gjuhët dhe ta përshtatë të folurin me bashkëbiseduesin.
Shqetësimi nuk duhet të jetë vetë përzierja, por nëse fëmija ka fjalor shumë të kufizuar, nuk kupton, nuk ndërton fjali ose nuk arrin të komunikojë në asnjërën gjuhë. Strategjitë që funksionojnë në shtëpi Nuk ekziston një metodë e vetme për çdo familje.
Metoda “Një prind, një gjuhë” mund të funksionojë mirë kur secili prind e përdor natyrshëm gjuhën e vet, por nuk duhet të bëhet rregull i ngurtë. Më e rëndësishme është që fëmija të ketë ekspozim të rregullt, të mjaftueshëm dhe cilësor në secilën gjuhë. Prindërit duhet të flasin në gjuhën që e zotërojnë më mirë dhe në të cilën shprehin natyrshëm emocionet, tregimet dhe mendimet.
Nuk është e dobishme që një prind ta braktisë shqipen dhe të flasë një gjuhë të huaj që nuk e zotëron mirë, vetëm nga frika se fëmija nuk do ta mësojë gjuhën e vendit pritës. Në disa familje flitet shqip në shtëpi dhe gjuha tjetër në kopsht; në të tjera, gjuhët ndahen mes familjarëve. Bisedat, librat, tregimet, këngët dhe loja janë më të vlefshme se ekspozimi pasiv ndaj ekraneve.
Kur fëmija kupton të dyja gjuhët, por flet vetëm njërën Është e zakonshme që një fëmijë ta kuptojë mirë një gjuhë, por të përgjigjet në tjetrën. Kuptimi zakonisht zhvillohet përpara aftësisë për ta përdorur gjuhën në mënyrë aktive. Fëmija shpesh zgjedh gjuhën që i nevojitet më shumë. Gjuha dominuese mund të ndryshojë.
Para kopshtit, shqipja mund të jetë kryesore; më vonë, gjuha e vendit pritës mund të bëhet më aktive. Kjo nuk do të thotë se fëmija e ka harruar shqipen. Për ta nxitur gjuhën më pak aktive, prindërit duhet të krijojnë situata të natyrshme: biseda me gjyshërit, lojëra me fëmijë shqipfolës, libra, këngë, tregime, vizita në vendlindje dhe aktivitete familjare në shqip.
Fëmija nuk duhet të testohet vazhdimisht ose të qortohet kur përgjigjet në gjuhën tjetër. Prindi mund ta pranojë mesazhin dhe ta përsërisë butësisht në shqip. Nëse fëmija thotë “I want water”, përgjigjja mund të jetë: “Po, do ujë. Ja ku e ke ujin.” Kështu dëgjon modelin e saktë pa presion.
Gjuha amtare nuk e pengon integrimin Ruajtja e gjuhës amtare nuk e pengon integrimin në gjuhën e vendit ku jeton. Fëmija zakonisht ekspozohet shumë ndaj saj përmes kopshtit, shkollës dhe jetës së përditshme. Gjuha që rrezikon të dobësohet është shqipja, sidomos nëse nuk përdoret në familje. Ajo është gjuha e marrëdhënies me familjen, e historive, emocioneve dhe identitetit.
Kur prindi kufizon gjuhën që e zotëron më mirë, mund të kufizojë edhe pasurinë e komunikimit me fëmijën. Një bazë e mirë në gjuhën amtare nuk ia zë vendin gjuhës së dytë; aftësitë e të kuptuarit, të tregimit dhe të menduarit mund të zhvillohen përmes të dyja gjuhëve. Edhe kur fëmija ka çrregullim gjuhësor, zakonisht nuk rekomandohet heqja e gjuhës amtare.
Çrregullimi nuk shkaktohet nga shqipja ose dygjuhësia dhe do të shfaqej edhe sikur fëmija të rritej vetëm me një gjuhë. Çfarë duhet të mbajnë mend prindërit Prindërit duhet të flasin me fëmijën në gjuhën që e zotërojnë më mirë dhe në të cilën ndihen më natyrshëm. Fjalori dhe komunikimi duhet të vlerësohen në të dyja gjuhët, jo vetëm në njërën.
Gjuha amtare nuk duhet braktisur nga frika se pengon mësimin e gjuhës së vendit. Dygjuhësia nuk shkakton çrregullim të të folurit. Ajo që duhet vëzhguar është komunikimi në tërësi: a kupton fëmija, a përdor gjeste dhe fjalë, a ndërvepron, a mëson dhe a përparon?
Kur vështirësitë shfaqen në të dyja gjuhët, kur përparimi mungon ose humben aftësitë e fituara, duhet kërkuar vlerësim nga logopedi dhe kontroll i dëgjimit. Dygjuhësia nuk duhet të shërbejë si arsye për ta vonuar vlerësimin, por as për t’ia hequr fëmijës gjuhën amtare.
