Plani i Gianni Infantinos për të “privatizuar” Botërorin shikohet me sy të mirë nga Konfederata Afrikane e Futbollit. Presidenti i FIFA-s në ditët e fundit ka nisur që të lobojë për formimin e një kompanie, e cila do të quhet “FIFA Forward Enterprise” dhe që poi ai vetë do të jetë shef ekzekutivi.
Sipas këtij plani 20% e aksioneve të kompanisë, e cila do të kontrollojë Botërorin, do t’i shkojnë fondeve ose individëve të ndryshëm. Iniciativa është kundërshtuar fort nga disa qeveri të rëndësishme në Europë ndërsa qëndrim kritik karshi saj kanë mbajtur UEFA dhe CONCACAF (Konfederata e Amerikës Veriore dhe Qëndrore dhe Shoqatave të Futbollit të Karaibeve).
Ndryshe mund të thuhet për CAF (Konfederata Afrikane e Futbollit), e cila planifikon të “shqyrtojë dhe vlerësojë iniciativën e propozuar” nga FIFA javën e ardhshme në Komitetin Ekzekutiv. CAF gjithashtu ftoi Shoqatat e saj Anëtare të shqyrtojnë “FIFA Forward Enterprise” dhe të marrin pjesë në procesin e konsultimit.
Objektivi i organit drejtues është të vazhdojë konsultimet dhe të punojë ngushtë me të gjitha palët e interesuara, por mbi të gjitha, të mbështesë rritjen e burimeve financiare dhe të tjera për zhvillimin dhe rritjen e futbollit në Afrikë dhe në mbarë botën. CAF është konfederata e parë që nuk e kundërshton publikisht projektin.
