Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit ka pretenduar se ka kryer një sulm ndaj bazës Azraq në Jordani, ku ndodhet Baza Ajrore “Muwaffaq Salti” e Forcave Ajrore Mbretërore jordaneze. Pretendimi është publikuar nga mediat shtetërore iraniane, të cilat raportuan se sulmi ishte pjesë e veprimeve hakmarrëse të Iranit.
Megjithatë, deri më tani nuk ka konfirmim të pavarur se baza është goditur. Forcat e Armatosura të Jordanisë kishin njoftuar më herët se sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan pesë raketa iraniane që synonin rajonin e Azraqit, duke parandaluar goditjen e objektivave brenda territorit jordanez, raporton SkyNews, Autoritetet jordaneze nuk kanë raportuar viktima apo dëme materiale si pasojë e këtij sulmi.
Zhvillimi vjen në një kohë të tensioneve të shtuara në Lindjen e Mesme, pas shkëmbimit të sulmeve ndërmjet Iranit dhe forcave amerikane në rajon. Pretendimet e palëve për rezultatet e sulmeve mbeten të pakonfirmuara në mënyrë të pavarur. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
