Gjyqtari slloven Slavko Vincic, i cili drejtoi finalen e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, ka folur për herë të parë për ndeshjen e shumëpërfolur dhe vendimin e tij për t’u larguar nga futbolli.
Vincic ka bërë të ditur se finalja e Botërorit ishte ndeshja e fundit e karrierës së tij si gjyqtar, pas një dueli të shoqëruar me polemika, ku Spanja triumfoi ndaj Argjentinës me rezultat 1-0 pas vazhdimeve. Në një intervistë, ai është pyetur edhe për bisedën që pati gjatë ndeshjes me kapitenin argjentinas, Lionel Messi. “Do ta lë atë bisedë në fushë.
Por mund të them se Messi u soll në mënyrë sportive”, ka deklaruar Vincic. Gjyqtari slloven ka thënë se përzgjedhja për të drejtuar finalen e Botërorit fillimisht ishte një surprizë e madhe për të, por më pas u shndërrua në një moment krenarie. “E dija se ishte një përgjegjësi shumë e madhe. Duhej të ishim të denjë për këtë besim dhe ta përfundonim ndeshjen me sukses”, është shprehur ai.
Duke folur për presionin gjatë finales, Vincic ka theksuar se përballja mes dy kombëtareve të mëdha kishte vendosur një barrë të jashtëzakonshme mbi ekipin e arbitrimit. Ai ka mbrojtur edhe përdorimin e teknologjisë VAR, duke thënë se në futbollin modern është e pamundur të shihen të gjitha situatat pa ndihmën e pamjeve filmike.
“Me shpejtësinë e futbollit modern është e pamundur të shohësh gjithçka. Nuk mund ta imagjinoj ndarjen e drejtësisë pa ndihmën e teknologjisë”, ka përfunduar Vincic. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
