Një gabim i vogël në një kërkesë zyrtare të policisë ka çuar në dënimin e një burri të pafajshëm, i cili kaloi 18 muaj në burg. Vetëm gjashtë vjet më vonë u zbulua se gjithçka kishte nisur nga mungesa e një nënvizimi në një emër përdoruesi.
Rasti nisi në vitin 2018, kur policia në Wisconsin të Shteteve të Bashkuara po hetonte një person që kishte shkëmbyer 125 mesazhe me një vajzë 12-vjeçare përmes aplikacionit “Kik”. Nëna e vajzës kishte gjetur në telefonin e saj një fotografi intime të dërguar nga personi në fjalë dhe kishte njoftuar autoritetet.
Hetuesit i kërkuan kompanisë “Kik” të identifikonte përdoruesin me emrin “fus_ro_dah”. Megjithatë, në kërkesën zyrtare u shënua vetëm një nënvizim, ndonëse llogaria e dyshuar kishte dy. Për shkak të këtij gabimi, kompania ua dërgoi autoriteteve adresën elektronike të Brandon Klayme, një shtetas kanadez që nuk kishte asnjë lidhje me rastin.
Hetimet më pas çuan te Google dhe te një adresë IP në Kanada. Rasti iu transferua policisë kanadeze, e cila e identifikoi lidhjen e internetit si pronë të Klayme. Në vitin 2020, policia bastisi banesën e tij dhe sekuestroi telefonat dhe kompjuterët.
Analiza e pajisjeve nuk zbuloi fotografi, biseda apo kontakte me vajzën, ndërsa hetuesit nuk arritën të dëshmonin as se ai e kishte përdorur aplikacionin “Kik” në periudhën përkatëse. Pavarësisht mungesës së provave, prokuroria ngriti akuza ndaj tij për komunikim seksual me të mitur.
Klayme u shpall fajtor në vitin 2023, ndërsa një vit më vonë u dënua me 18 muaj burg, dënim të cilin e vuajti plotësisht. Gabimi u zbulua vetëm gjatë përgatitjes së ankesës në vitin 2026, kur avokatët konstatuan se emri i përdoruesit në kërkesën e policisë nuk përputhej me atë të autorit të vërtetë.
Ky detaj nuk ishte përmendur gjatë procesit gjyqësor dhe gjyqtari nuk kishte qenë në dijeni të tij. Në fund të korrikut 2026, Gjykata e Apelit e Nova Scotias e shpalli Brandon Klayme plotësisht të pafajshëm, duke rrëzuar dënimin dhe të gjitha masat ndaj tij. “Brandon Klayme është vërtetuar se është i pafajshëm.
Ai nuk duhej të ishte akuzuar, e aq më pak të ishte dënuar”, thuhet në njoftimin e gjykatës. Sipas raportimeve, emri i saktë i përdoruesit do t’i kishte çuar hetuesit te një person tjetër dhe gjurmët digjitale do të drejtonin drejt Kalifornisë.
Ende nuk dihet nëse Klayme do të kërkojë dëmshpërblim për burgosjen e padrejtë, ndërsa identiteti dhe fati i personit që dyshohet se përdorte llogarinë e vërtetë mbeten të paqarta. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
