Rafael Leao është bërë objektivi kryesor i dy gjigantëve të futbollit turk. Galatasaray dhe Fenerbahçe po e zhvillojnë një garë të fortë për t’i siguruar shërbimet e sulmuesit të Milanit, ndërsa ditët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e portugezit.
Sipas raportimeve nga Turqia dhe Italia, të dy klubet i kanë nisur lëvizjet konkrete për transferimin e 27-vjeçarit, përcjell “Gazeta Express”. Fenerbahçe ka planifikuar takime me drejtuesit e Milanit dhe përfaqësuesit e lojtarit për t’i diskutuar kushtet e marrëveshjes, ndërsa Galatasaray vazhdon të mbetet në garë me një strategji të ndryshme.
Galatasaray po e mendon një formulë huazimi me opsion blerjeje, por Milani nuk është i gatshëm ta pranojë këtë zgjidhje. Klubi kuqezi kërkon vetëm një shitje përfundimtare dhe e vlerëson kartonin e Leaos mes 50 dhe 60 milionë eurove. Nga ana tjetër, Fenerbahçe duket më e avancuar në aspektin financiar.
Ky klub është i gatshëm t’ia ofrojë Leaos një pagë shumë të lartë, ndërsa po punon për ta gjetur një marrëveshje edhe me Milanin. Megjithatë, rregullat e Fair Play Financiar mund ta detyrojnë klubin turk t’i shesë disa lojtarë përpara se ta finalizojë transferimin. Vetë Leao e ka pranuar se mund të largohet nga Milani këtë verë. “Kam folur me klubin për mundësinë e një eksperience të re.
Nuk e di nëse do të ndodhë, por derisa të jem te Milani do ta jap maksimumin me respekt për fanellën. Megjithatë, në jetë ke edhe ambicie të tjera dhe, nëse krijohet mundësia, do t’i vlerësoj opsionet. Për momentin jam ende lojtar i Milanit.” Megjithatë, portugezi nuk e ka dhënë ende dritën jeshile për një transferim në Turqi.
Sipas mediave italiane, prioriteti i tij mbetet një kalim në Premierligë ose në La Liga, por deri tani nuk ka mbërritur asnjë ofertë konkrete nga klubet e këtyre ligave. Pikërisht kjo situatë ka bërë që Galatasaray dhe Fenerbahçe të besojnë se mund ta bindin yllin portugez ta vazhdojë karrierën në Superligën turke.
