Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka njoftuar se nga 1 shtatori Inspektorati Qendror i Punës do të kalojë në inspektime plotësisht digjitale, ndërsa në mbikëqyrjen e kantiereve dhe vendeve të punës me rrezik të shtuar do të përdoren edhe dronë.
Përmes një komunikate për media, është bërë e ditur se vendimi është marrë me qëllim të forcimit të mbikëqyrjes inspektuese dhe rritjes së efikasitetit në terren. Sipas Hotit, sistemi i ri do të mundësojë dokumentim në kohë reale, rritje të transparencës, llogaridhënie më të madhe dhe monitorim më efikas të punës së inspektorëve.
Ministri bëri të ditur se njëkohësisht do të nisë edhe përdorimi i teknologjisë së dronëve si mjet mbështetës për inspektimin e kantiereve dhe vendeve të punës me rrezik të shtuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ai njoftoi gjithashtu se do të iniciohet forcimi i koordinimit ndërinstitucional, me qëllim që institucionet përgjegjëse të shkëmbejnë informacion në kohë reale, duke e bërë mbikëqyrjen më parandaluese dhe jo vetëm reaguese.
