Punëtorët teknikë të shkollave në Prishtinë kanë nisur grevë, duke kërkuar ekzekutimin e pagës së muajit qershor, të cilën thonë se ende nuk e kanë pranuar. Sipas tyre, vonesa në pagesa ka krijuar vështirësi për shumë punëtorë, ndërsa kërkohet ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse për zgjidhjen e situatës.
Punëtori teknik Sejdi Salihu ka deklaruar se rreth 200 punëtorë janë prekur nga kjo problematikë dhe se kërkesa e tyre kryesore është realizimi sa më i shpejtë i pagave të papaguara. Greva ka filluar gjatë kësaj jave, por punëtorët thonë se ndikimi i saj nuk është i madh për shkak se aktualisht në shkolla nuk po zhvillohet proces mësimor.
Ata kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë me protestën e tyre derisa të marrin një zgjidhje konkrete për çështjen e pagave. Deri në publikimin e këtij raportimi, Komuna e Prishtinës dhe Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat nuk kanë dhënë një qëndrim zyrtar lidhur me rastin. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
