Albulena Haxhiu: Nuk mund të ketë paqe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë,

0%

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu ka vizituar fshatin Kalludër e Voglë ku po kryhen gërmime për varrezë masive.

Haxhiu e konfirmoi se sipas të dhënave nga institucionet, mbetjet mortore janë me prejardhje njerëzore, Haxhiu tha se nuk mund të ketë paqe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për sa kohë, sipas saj, ka varreza të fshehura, arkiva të mbyllura dhe mohim të së vërtetës nga ana e Serbisë.

“Për sa kohë këtu po bëhet përpjekje maksimale për të kuptuar se ku janë personat e zhdukur me dhunë, vazhdojmë të përballemi me gjuhë të urrejtjes, me retorika shoviniste, me mohim të krimeve e po ashtu me pretendime territoriale ndaj Republikës së Kosovës nga krerët e institucioneve në Serbi, qoftë këtu nga Vuçiq, qoftë këtu nga Bërnabiq”- deklaroi Haxhiu.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Haxhiu u bën thirrje poashtu partnerëve ndërkombëtarë që t’i bëjnë presion Serbisë që t’i hapë arkivat. “Ju e dini që janë mbi 1500 persona për të cilët edhe familjet presin të dijnë se ku janë trupat e tyre, por edhe institucionet e Republikës së Kosovës që kanë bërë një përkushtim maksimal”- theksoi ajo.

Ndërsa, Kryeprokurori Blerim Isufaj theksoi se Prokuroria Speciale do të zbatojë procedura të paanshme dhe profesionale, siç tha ai, duke synuar respektimin ndaj viktimave dhe familjarëve të tyre. Isufaj u bën thirrje komunitetit që mos të deklarohen shumë lidhur me rastin sepse është ende herët dhe sipas tij, deklarimet në publik mund ta dëmtojnë procesin e hetimit.

Në deklarimin e saj para mediave dje, më , ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla tha se duhet të rritet presioni ndaj Serbisë për të hapur arkivat për të dorëzuar të gjithë të pagjeturit dhe për të siguruar që gjëra të tilla nuk ndodhin më. Pjesëtarë të Policisë së Kosovës po kujdesen për sigurinë gjatë ekzaminimeve në vendin e dyshuar.

Në aksion po marrin pjesë edhe zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe të sektorit për Hetimin e Krimeve të Luftës. Gjykata e Prishtinës i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji dy të pandehurve me inicialet M.J. dhe M.B., të cilët dyshohen për krime lufte kundër popullatës civile.

Që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë vazhdojnë të jenë të zhdukur mbi 1,500 persona. Me 11 identifikimet që janë kryer në muajin mars 2025, aktualisht sipas Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit në Kosovë janë edhe 1,577 persona të cilët konsiderohen të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë. Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni KËTU.

Burimi: Kallxo