Një konflikt në Obiliq ka përfunduar me arrestimin e një 22-vjeçari, pasi dyshohet se ka kanosur një person me kallashnikov, ndërsa Policia gjatë bastisjes ia ka sekuestruar armën. Sinjali mëson se i arrestuari është Shaban Preniqi (22-vjeç), ndërsa viktimë e rastit është M. Mjekiqi (37-vjeç).
Sipas burimeve, viktima është paraqitur në Stacionin Policor në Obiliq dhe ka raportuar se ishte kanosur me armë nga i dyshuari. Ai ka dorëzuar edhe një video-incizim, ku Shaban Preniqi shihej duke mbajtur armën në dorë. Pas marrjes së informacionit, Njësia e Hetimeve, së bashku me Njësinë Reaguese dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit.
Gjatë bastisjes, një familjare ka dorëzuar një pushkë automatike AK-47, së bashku me një karikator, të cilat janë sekuestruar si prova materiale.
Me urdhër të Prokurorit, ndaj Shaban Preniqit është iniciuar procedurë për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Kanosja”, ndërsa ai është dërguar në ndalim për 48 orë në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
