Dita e 60-të e protestës, qytetarët mbyllin tubimin me thirrjen: “Nesër më shumë, nis muaji i tretë dhe numërimi mbrapsht” për Ramën Dita e 60-të e protestës popullore dhe rezistencës së qytetarëve shqiptarë është mbyllur me një mesazh të fortë drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij: “Nesër më shumë, nis muaji i tretë dhe numërimi mbrapsht”.
Pas fjalimeve të qytetarëve dhe aktivistëve të mbajtur para Kryeministrisë, protesta vijoi me marshimin tradicional të përnatshëm në bulevard, ku mijëra qytetarë përcollën mesazhet e tyre për ndryshim politik. Gjatë marshimit u dëgjuan thirrje të shumta si: “Shqipëria kërkon revolucion”, “Ju erdhi fundi”, “Rama, jep dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Arrestoni Ramën”.
Protestuesit kërkuan ndryshim të sistemit politik dhe vazhdim të rezistencës deri në realizimin e kërkesave të tyre, duke paralajmëruar se tubimet do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim.
Me hyrjen në muajin e tretë të protestave, qytetarët deklaruan se mobilizimi do të jetë edhe më i madh, ndërsa mesazhi i përcjellë nga bulevardi ishte ai i një përballjeje të vazhdueshme me qeverinë aktuale.
