Nga: Rrezon Gashi Shpërndaje në: Serbia vazhdon të mos i zbatojë zotimet e marra me Deklaratën e Brukselit për personat e zhdukur, duke refuzuar hapjen e arkivave ushtarake dhe policore.
Pas zbulimit të varrit masiv në Zubin-Potok, përfaqësuesit e lartë shtetërorë kanë kërkuar që bashkësia ndërkombëtare të rrisë presionin ndaj Beogradit zyrtar për të ofruar informacione mbi vendndodhjen e të pagjeturve Përfaqësuesit më të lartë shtetërorë kanë bërë apel të mërkurën te ndërkombëtarët që t’i bëjnë presion Serbisë, me qëllimin që ajo t’i tregojë lokacionet ku ndodhen të zhdukurit me dhunë gjatë luftës.
Apeli është drejtuar një ditë pasi kanë nisur gërmimet për varr masiv në fshatin Kalludër e Vogël në Zubin-Potok, ku dyshohet të jenë trupat e 23 intelektualëve nga rajoni i Mitrovicës, që në vitin 1999 ishin kapur nga forcat serbe e më pas ishin ekzekutuar. Lokacioni u bë i njohur vetëm pasi dy persona u arrestuan në Zubin-Potok, nën dyshimin se kanë kryer krime lufte.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se derisa këto gërmime janë rezultat i punës së institucioneve të Kosovës, moszbatimi nga Serbia i Deklaratës së Brukselit për të Zhdukurit me Dhunë, e dakorduar më 2023, përkatësisht refuzimi për të hapur arkivat e ushtrisë, është dëshmi se ky shtet vazhdon t’i ikë përgjegjësisë për krimet e kryera në Kosovë, gjatë luftës së fundit.
Arkivat që s’hapen Më , kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nënshkruan një deklaratë të përbashkët për personat e zhdukur.
Edhe Arbëri 6 min. më parë Kosovës iu deshën 9,909 ditë për t’i dokumentuar 12,230 viktimat e luftës Në mesin e zotimeve ishin: qasja e plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënia në dispozicion e të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë e përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.
Pavarësisht zotimeve, Kurti tha se Serbia nuk po ofron informacione të dobishme për zbardhjen e fatit të të zhdukurve. “Andaj, e përsërisim thirrjen ndaj faktorëve ndërkombëtarë të shtojnë trysninë ndaj Serbisë që, mes tjerash, të ndryshohet vendimi për klasifikim 30-vjeçar deri në vitin 2044 dhe të hapet arkiva e Brigadës së Motorizuar 37 e Ushtrisë Jugosllave, në mënyrë që të kemi informacione për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë”, ka thënë Kurti.
Ai këtë apel e bëri, gjatë prezantimit të listës preliminare të viktimave të luftës, të cilën e publikoi Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL). Bazuar në këtë listë, të zhdukur me dhunë janë 1.578. Në të hyjnë personat, fati i të cilëve mbetet i pazbardhur dhe për të cilët ekzistojnë prova të besueshme se zhdukja lidhet me rrethanat e luftës.
Deklarata e Përbashkët Kurti-Vuçiq, parasheh edhe krijimin e një Komisioni të Përbashkët që mbikëqyr zbatimin e zotimeve. Kjo trupë u mblodh për herë të parë në janar të këtij viti në Bruksel. Peter Sorensen, i dërguari evropian për dialogun, pas takimit tha se “BE-ja ka pritje të mëdha nga Komisioni”.
Megjithatë, sipas ministrit në detyrë për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, zbulimi në Zubin-Potok nuk ishte rezultat i Komisionit. “Gërmimet dhe zbulimi i mbetjeve mortore në Kalludër të Vogël të Zubin-Potokut nuk ndërlidhen me punën e Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur apo me takimet e zhvilluara në Bruksel.
Ky është rezultat i punës dhe hetimeve të institucioneve të Republikës së Kosovës, përfshirë Institucionet e Sigurisë, Policinë e Kosovës, Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore”, ka thënë Hoti në një përgjigje për KOHËN.
Mungesa e bashkëpunimit Hoti ka theksuar se përkundër angazhimit të vazhdueshëm të institucioneve të Kosovës, Serbia vazhdon të mos ofrojë bashkëpunimin e nevojshëm në procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.
“Edhe pas miratimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur dhe themelimit të Komisionit të Përbashkët, pala serbe nuk ka dhënë informacione konkrete për lokacionet e dyshuara. Përkundrazi, Serbia vazhdon t’i mbajë të mbyllura arkivat dhe dokumentacionin shtetëror, ushtarak dhe policor, të cilat do të mund të ndihmonin në zbardhjen e së vërtetës për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Një qasje e tillë e zvarrit procesin dhe ua mohon familjeve të drejtën themelore për të ditur fatin e më të dashurve të tyre”, është shprehur Hoti.
Ai ka thënë se deri më tani zbatimi i Deklaratës për Personat e Zhdukur dhe funksionimi i Komisionit të Përbashkët nuk kanë prodhuar rezultatet e pritshme, siç ka theksuar, pikërisht për shkak të mungesës së bashkëpunimit konkret nga pala serbe.
“Për Republikën e Kosovës, ky proces nuk mund të mbetet vetëm në nivel deklarativ, por duhet të shoqërohet me hapjen e arkivave, dorëzimin e dokumentacionit dhe ofrimin e informatave të verifikueshme për lokacionet e dyshuara”, ka deklaruar Hoti.
Edhe Arbëri 20 min. më parë Haxhiu: SHBA-ja dhe BE-ja ta dënojnë gjuhën shoviniste të Vuçiqit e Bërnabiqit Ai ka thënë se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë hetimet në terren, verifikimin e çdo informacioni për lokacione të mundshme, ekzaminimet mjeko-ligjore dhe analizat e ADN-së, si dhe koordinimin me familjet dhe partnerët ndërkombëtarë.
Njëkohësisht, ka thënë se do të vazhdojnë të kërkojnë që Serbia t’i hapë arkivat dhe të përmbushë detyrimet e marra në kuadër të Deklaratës për Personat e Zhdukur. E korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, u shpreh se në BE angazhimin e Serbisë në dialog e konsiderojnë si konstruktiv.
“Bashkimi Evropian vazhdimisht ka thënë se palët duhet të bashkëpunojnë përmes Komisionit të Përbashkët për të Pagjeturit, madje formimin e këtij komisioni dhe nisjen e punës së tij këtë vit e ka cilësuar si një nga më të mëdhatë në procesin e dialogut.
Po ashtu, sipas burimeve diplomatike, Bashkimi Evropian ka konfirmuar angazhimin konstruktiv të Serbisë në procesin e dialogut”, ka thënë Palokaj. KOHA ka dërguar pyetje në BE lidhur me zbatimin e Deklaratës së Përbashkët dhe angazhimin e Serbisë përkitazi me zotimet e dhëna, po gjatë ditës nuk ka marrë përgjigje.
Çështja e të zhdukurve me dhunë ishte temë edhe e negociatave të Vjenës të zhvilluara para 20 vjetësh, për statusin përfundimtar të Kosovës. Por, dakordim lidhur me të zhdukurit pati tek më 2023.
Zotimi për kërkime Të martën, në fshatin Kalludër në komunën e Zubin-Potokut, kanë dalë ekipet e Policisë së Kosovës dhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore, dhe janë mbështetur edhe nga ekipe të EULEX-it. Aty është konstatuar se ka trupa njerëzish.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e ka mirëpritur lajmin për konfirmimin e gjetjes së këtij varri masiv dhe ka thënë se ky është një zhvillim i rëndësishëm në përpjekjet për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës.
“Vlerësoj angazhimin dhe punën profesionale të ekipeve të Policisë së Kosovës, Institutit për Mjekësi Ligjore, Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Prokurorisë dhe institucioneve të tjera të drejtësisë e të sigurisë, të cilat po e trajtojnë këtë rast me përkushtim dhe përgjegjësi”, ka shkruar Haxhiu, në një postim në Facebook.
“Ky proces do ta ketë përkrahjen time të plotë, nga vlerësimi i gjithanshëm i lokacionit, zhvarrimi dhe ekzaminimet mjeko-ligjore, e deri te identifikimi i plotë i viktimave, gjithmonë në përpjekje për t’iu përgjigjur të drejtës së familjeve për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre”.
E, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa të vërtetën, nuk mund të ketë fqinjësi të mirë pa drejtësi dhe nuk mund të ketë harresë përballë krimeve të kryera. Sipas Gërvallës, fakti që gërmimet kanë dhënë rezultate është një zhvillim pozitiv.
“Është lajm i mirë që gërmimi ka sjellë rezultat dhe që institucionet janë të përkushtuara për gjetjen e varrezave masive, por edhe për rritjen e presionit ndaj Serbisë: së pari për t’i hapur arkivat dhe së dyti për t’i dorëzuar të gjithë të pagjeturit. Mbi të gjitha, duhet të sigurohemi që gjëra të tilla të mos ndodhin më asnjëherë në vendin tonë”, deklaroi ministrja në detyrë.
Ajo ka vizituar lokacionin ku është konfirmuar varreza masive në fshatin Kalludër dhe ka thënë se ka përcjellë nga afër procesin e zhvilluar deri më tani, si dhe hapat e ndërmarrë në kuadër të përpjekjeve institucionale për zbardhjen e së vërtetës dhe trajtimin me seriozitet të plotë të çdo informacioni që lidhet me fatin e personave të zhdukur.
Edhe Arbëri 1 o. më parë Maloku: Subjektet politike e kanë normalizuar ngërçin “Çdo gjë është duke u zhvilluar me profesionalizëm dhe me përkushtim”, ka thënë ajo. “Çështja e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit mbetet një nga plagët më të rënda të luftës dhe një nga dëshmitë më të qarta të krimeve të kryera nga shteti gjenocidal serb.
Përveç mijëra civilëve të pafajshëm, regjimi i atëhershëm serb shënjestroi qëllimisht edhe elitën intelektuale, akademike e profesionale të Kosovës, në përpjekje për të goditur vetë identitetin, kujtesën dhe të ardhmen e popullit tonë. Më pas, përmes zhvendosjes dhe fshehjes së trupave në varreza masive, u përpoq të fshinte gjurmët e këtyre krimeve.
Por e vërteta nuk mund të varroset përgjithmonë”. Të martën, një ditë pasi u arrestuan dy serbë nga Zubin-Potoku nën dyshimin për krime lufte, në këtë komunë kanë nisur gërmimet për varrin masiv, ku janë gjetur mbetje mortore.
