Shpërndaje në: Humbja 1:0 në Zvicër kishte rritur shpresën te Dukagjini se në ndeshjen e dytë do të mund të siguronin avancimin tutje në Ligën e Konferencës. Por ndeshja e dytë doli të jetë shumë e rëndë, ndërsa Lugano kundërshtare e pakalueshme. Dukagjini të mërkurën pasdite u mposht 5:1 nga skuadra zvicerane, në ndeshjen e kthimit të raundit të dytë të Conference League.
Ndeshja u zhvillua në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, në praninë e pak shikuesve. Nuk kishte ndonjë dramë në këtë ndeshje evropiane. Mysafirët shënuan dy gola të shpejtë për të hapur rrugën drejt fitores së thellë. Kevin Behrens shënoi që në minutën e gjashtë, ndërsa Daniel dos Santos realizoi gol tjetër në minutën e nëntë.
Dukagjini reagoi në minutën e dhjetë, kur për 2:1 realizoi Meris Maliqi. Edhe Futboll Të dielën luhet xhiroja e fundit në Superligë Megjithatë kjo ishte e tëra. Behrens shënoi edhe në minutën e 36-të dhe të 58-të, kurse Egzon Sinani shënoi autogol në minutën e 51-të. Pjesa e dytë në fakt ishte thuajse formale, me të dy skuadrat që mezi prisnin të përfundonte sfida.
Si fitues i Kupës së Kosovës, Dukagjini nisi garimin prej raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Dhe u ndal në këtë rreth garash. Skuadra nga Klina për herë të dytë luajti në Evropë. Në edicionin 2023/2024 e eliminoi Europan e Gjibraltarit në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Në raundin e dytë ishte eliminuar nga Rijeka.
Nga skuadra kroate e kishte humbur 6:1 ndeshjen e dytë. Edhe tani klinasit largohen nga skena evropiane me humbje të thellë.
