Gazetari Basir Çollaku ka komentuar protestat masive që prej 60 ditësh vijojnë në Tiranë, duke deklaruar se ato kanë marrë një përmasë që, sipas tij, nuk ishte parashikuar as nga vetë protestuesit. Në një bisedë në studion e News24, Çollaku tha se protesta duhej të kishte marrë reagime më herët nga qeveria, ndërsa akuzoi mazhorancën se po përballet me frikë nga përgjegjësitë ligjore.
Çollaku deklaroi se vijimësia e protestave mund të sjellë, sipas tij, ndryshime të rëndësishme politike. Ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj situatës.
Duke komentuar mbështetjen ndërkombëtare ndaj qeverisë shqiptare, Çollaku deklaroi se çdo qëndrim pozitiv ndaj Ramës është i gabuar ose i motivuar nga interesa të tjera, ndërsa kundërshtoi shifrat e mbështetjes që, sipas tij, deklaron mazhoranca. Ai tha se protestuesit do të shtohen në ditët në vijim dhe se mesazhet e qytetarëve kanë shkuar si te qeveria, ashtu edhe te opozita.
Në vijim të deklaratave të tij, Çollaku e cilësoi Ramën “kryeministër në ikje” dhe tha se reagimet e tij ndaj protestave janë shenjë e një krize politike. Çollaku shtoi se, sipas tij, edhe qëndrimet ndërkombëtare ndaj kryeministrit shqiptar kanë ndryshuar muajt e fundit. “As protestuesit nuk do ta kishin menduar se do të shkonte kështu. Protesta duhet të kishte reagime më parë.
Por qeveria ka frikë burgun dhe jetën, përpiqen që të gjejnë një mjet shpëtimi dhe protestuesit kanë bërë qëndresë të jashtëzakonshme. S’ka pasur kurrë një protestë të tillë. Revolucioni dhe paqja ndoshta nuk shkojnë bashkë, por vazhdimësia do të sjellë rezultatin e kërkuar. Iu tregua se kush është Edi Rama në sytë e shqiptarëve, e panë ndërkombëtarët. Ka diçka ndryshe këtë herë.
Çdo ndërkombëtar që mbështet Ramë, ose është i korruptuar ose do destabilizimin e Shqipërisë. Ajo që thotë ai se ka 800 mijë mbështetës, është gënjeshtër, 800 mijë deri në 1 milion shqiptar janë në shesh. Protestuesit do të shtohen në ditët në vijim. Mazhoranca dhe opozita kanë marrë mesazhe për punët që janë bërë dhe ato që s’janë bërë. Reagimet e Ramës i shoh çrregullime mendore.
Çdo perandori 10 minuta para se të shkatërrohet, reagon kështu. Rama është kryeministër në ikje. Ka muaj që ndërkombëtarët nuk flasin mirë për Ramën më. Rama s’e mbyll vitin si kryeministër.”, tha ai.
