UEFA ka reaguar sërish ndaj planeve të FIFA-s për shitjen e aksioneve të disa prej kompeticioneve të saj, përfshirë edhe Kupën e Botës, duke lëshuar një deklaratë të fortë kundër mënyrës se si, sipas saj, po menaxhohet futbolli ndërkombëtar.
Në komunikatën e publikuar të mërkurën, Konfederata Evropiane e Futbollit thekson se FIFA nuk mund ta shfrytëzojë futbollin për përfitime personale apo në favor të një grupi të ngushtë njerëzish. “Sot u njohëm me afatin që FIFA u ka vendosur federatave për të mbështetur propozimin e saj, ose në të kundërtën të përballen me humbjen e pagesës së njëhershme.
Vetë kjo tregon gjithçka që duhet të dini për këtë plan”, thuhet në reagimin e UEFA-s. Organizata evropiane shton se, pas konsultimeve me shumë palë të përfshira në futboll, ka konstatuar se kundërshtimi ndaj këtij projekti është i madh dhe po rritet vazhdimisht.
“Pas diskutimeve me shumë aktorë të futbollit, UEFA e di se ekziston një kundërshtim i konsiderueshëm dhe në rritje ndaj kësaj skeme. FIFA nuk mund të vazhdojë ta përdorë sportin tonë për të pasuruar veten dhe miqtë e saj”. Në fund të deklaratës, UEFA bën thirrje që fokusi të rikthehet te interesat e futbollit dhe jo te përfitimet financiare.
“Ne mund ta zhvillojmë futbollin në mënyrën e duhur. Ka ardhur koha që përparësi t’u jepet federatave, klubeve, ligave, lojtarëve dhe tifozëve”, përfundon reagimi i UEFA-s.
