Lidhja Demokratike e Kosovës nuk gjendet aktualisht në fazën më të mirë politikisht. Partia po përballet me një periudhë tensionesh dhe përçarjesh të brendshme, ndërsa vëmendja është përqendruar te Kuvendi i Jashtëzakonshëm që do të mbahet të enjten (ose të premten, nëse i referohesh një date tjetër), ku pritet të diskutohen zhvillimet e fundit dhe e ardhmja e udhëheqjes së partisë.
Ky kuvend konsiderohet një moment vendimtar, pasi pritet të ndikojë në drejtimin politik dhe organizativ të LDK-së në periudhën e ardhshme. Familja e veprimtarit Haki Imeri në një prononcim për gazetën “Bota sot”, vlerëson se LDK-ja rrezikon shpërbërjen nëse nuk hyn në koalicion me LVV-në dhe Guxo.
Sipas tyre, partia është devijuar nga parimet e saj dhe është dëmtuar nga drejtues që, siç pretendojnë, kanë vepruar në favor të PDK-së, duke e larguar LDK-në nga vizioni i Ibrahim Rugovës. “ LDK, nëse nuk shkon në koalicion me LVV dhe Guxo ajo do të shpërbëhet.
Siç e kemi thënë në vazhdimësi që prej se e kanë kapur LDK-në ata që nuk ishin LDK dhe ishin, jane të drejtuar nga PDK-ja dhe SHIK-u për të bërë pazare vetëm që i shkojnë në favor të PDK-së dhe kështu gradualisht, pa zhurmë ia arritën qëllimit ta shuajnë partinë e Ibrahim Rugovës” , thanë familja e veprimtarit Haki Imeri.
Ndonëse, LDK qe tre palë zgjedhje zë vendin e tretë, ajo nuk ka ndryshuar në lidershipin e saj.
