Eliminimi i rëndë nga kompeticionet europiane ka ndryshuar plotësisht atmosferën rreth Vllaznisë. Nëse pak javë më parë optimizmi dominonte në kampin kuqeblu, tashmë çdo sy është i drejtuar nga trajneri Edi Martini, i cili përballet me një nga momentet më delikate që prej rikthimit të tij në stolin shkodran.
Pavarësisht se merkato nuk është mbyllur ende dhe skuadra vazhdon të ketë nevojë për disa përforcime cilësore, rezultatet e deritanishme kanë rritur ndjeshëm presionin mbi teknikun. Humbja e thellë në Europë, e ndjekur nga paraqitje jo bindëse në miqësore, ka bërë që besimi i tifozëve të lëkundet. Megjithatë, kampionati është një histori krejt tjetër.
Martini ka ende kohë për të rikthyer entuziazmin dhe për t’i dhënë identitet ekipit, por gabimet nuk do të falen më. Vllaznia është një klub ku objektivat janë gjithmonë të mëdha dhe çdo trajner gjykohet mbi rezultatet. Starti i Superiores mund të jetë vendimtar. Një nisje pozitive do të ulte menjëherë tensionin dhe do t’i jepte ekipit besim për vazhdimësinë.
Në të kundërt, nëse rezultatet e para nuk do të jenë ato të pritshmet, presioni ndaj Martinit pritet të rritet edhe më shumë, ndërsa zërat kritikë do të shtohen. Në fund, trajneri kuqeblu ndodhet përballë një prove karakteri. Ai duhet të tregojë se eliminimi europian ishte vetëm një aksident dhe se Vllaznia ka potencialin për të qenë protagoniste në kampionat.
Javët e para të sezonit do të tregojnë nëse Martini do ta kthejë skuadrën në rrugën e duhur apo do të përballet me një presion gjithnjë e më të madh.
