Inspektorati Qendror i Punës ka reaguar pas aksidentit tragjik në një kantier ndërtimi në Prishtinë, ku humbi jetën një punëtor dhe një tjetër mbeti i lënduar. Përmes një reagimi, ky institucion ka shprehur ngushëllime për familjen e viktimës, ndërsa i ka uruar shërim të shpejtë punëtorit të lënduar.
Inspektorati ka bërë të ditur se kompetencë e tij është mbikëqyrja e zbatimit të rregullave për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë në raport me punëtorët, kontraktorët dhe personat e tjerë të autorizuar që kanë qasje në kantier.
Ndërkaq, sa i përket sigurisë së personave jashtë kantierit dhe masave ndaj dëmeve eventuale, Inspektorati ka sqaruar se kjo çështje bie nën përgjegjësinë e inspektorateve komunale të ndërtimit.
“Në këtë fazë është ende herët të nxirren konstatime përfundimtare, pasi natyra dhe rrethanat e rastit kërkojnë hetime dhe ekspertiza të mëtejshme për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit”, thuhet më tej në reagim.
Nga Inspektorati kanë bërë të ditur se nëse gjatë hetimeve evidentohen shkelje të legjislacionit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, do të ndërmerren masat ligjore brenda kompetencave të tyre.
Po ashtu, institucioni ka ngritur shqetësimin për mungesën e një koordinimi më të madh ndërmjet institucioneve, duke theksuar se aktualisht nuk njoftohet në mënyrë sistematike për lëshimin e lejeve ndërtimore apo fillimin e punimeve në kantieret e reja.
Inspektorati ka bërë të ditur se do të iniciojë diskutime me institucionet përkatëse për krijimin e një mekanizmi më të mirë të njoftimit dhe koordinimit, me qëllim forcimin e mbikëqyrjes parandaluese në fushën e sigurisë në punë. Mëngjesin e sotëm, Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht identitetet e tre personave të arrestuar lidhur me rastin.
Bëhet fjalë për Egzon Elshanin, rreth 37 vjeç, Betim Sylejmanin, rreth 34 vjeç, dhe Agon Hashanin, rreth 47 vjeç. Ekskluzive | Këta janë tre të ndaluarit pas tragjedisë në objektin “Vëllezërit Asllani”, ku humbi jetën një punëtor Ky është i riu që humbi jetën në vendin e punës në Prishtinë Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
