Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka mirëpritur konfirmimin e gjetjes së një varri masiv në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm në përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu tha se ky është një zhvillim me rëndësi në procesin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur. “Kam mirëpritur lajmin për konfirmimin e gjetjes së varrit masiv në fshatin Kalludër, në Zubin Potok.
Ky është një zhvillim i rëndësishëm në përpjekjet për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka vlerësuar angazhimin e institucioneve që po punojnë në këtë rast, duke përmendur Policinë e Kosovës, Institutin e Mjekësisë Ligjore, Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur, Prokurorinë dhe institucionet e tjera të drejtësisë dhe sigurisë.
“Vlerësoj angazhimin dhe punën profesionale të ekipeve të Policisë së Kosovës, Institutit për Mjekësisë Ligjore, Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Prokurorisë dhe institucioneve të tjera të drejtësisë e të sigurisë, të cilat po e trajtojnë këtë rast me përkushtim dhe përgjegjësi”, ka theksuar ajo.
Haxhiu ka bërë të ditur se ky proces do ta ketë mbështetjen e saj të plotë, nga vlerësimi i lokacionit deri te identifikimi i viktimave.
“Ky proces do ta ketë përkrahjen time të plotë, nga vlerësimi i gjithanshëm i lokacionit, zhvarrimi dhe ekzaminimet mjeko-ligjore, e deri te identifikimi i plotë i viktimave, gjithmonë në përpjekje për t’iu përgjigjur të drejtës së familjeve për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre”, ka përfunduar Haxhiu.
