Një delegacion i organizatës Albanians for America (AFA), i përbërë nga Gino Mulliqi, Gëzim Rushiti dhe Janinë Memeti, është takuar me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet aktuale në vend, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe për çështje me rëndësi strategjike për të ardhmen e Kosovës, duke përfshirë avancimin e procesit të anëtarësimit të vendit në NATO.
Delegacioni i AFA-së riafirmoi qëndrimin për rifillimin e dialogut strategjik Kosovë–SHBA, duke e vlerësuar atë si një mekanizëm të rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit në fushat e sigurisë, ekonomisë, energjisë dhe zhvillimit institucional.
Po ashtu, në takim u diskutua për mundësitë e zhvillimit të projekteve strategjike ekonomike dhe energjetike, me fokus të veçantë te projekti i gazit të lëngshëm natyror (LNG). Sipas AFA-së, ky projekt do të kontribuonte në diversifikimin e burimeve të energjisë, forcimin e sigurisë energjetike dhe krijimin e mundësive të reja për investime e zhvillim ekonomik në Kosovë.
Përfaqësuesit e organizatës theksuan gjithashtu rëndësinë e rolit të komunitetit shqiptaro-amerikan në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, duke shprehur përkushtimin e AFA-së për të vazhduar promovimin e interesave të përbashkëta dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Në përfundim të takimit u nënvizua rëndësia e angazhimeve të përbashkëta për forcimin e mëtejshëm të partneritetit Kosovë–SHBA dhe avancimin e objektivave strategjike të Kosovës në rrugën drejt integrimit euroatlantik.
