Pas më shumë se dy dekadash nga përfundimi i luftës, Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) ka lansuar raportin që përmban listën preliminare të personave të vrarë, të zhdukur me dhunë dhe personave të vdekur si pasojë e luftës në Kosovë.
Lista preliminare e publikuar nga IKKL përfshin gjithsej 13.227 persona të vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të vdekur si pasojë e luftës. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se raporti do të vazhdojë të përditësohet me të dhënat e reja që do t’i pranojë Instituti. “Nuk ka drejtësi pa të vërtetën, nuk ka shërim pa drejtësi, dhe nuk ka qëndrueshmëri pa kujtesë.
Ky raport është dëshmi institucionale e çmimit të shtrenjtë të lirisë që e gëzojmë së bashku. Raporti përfaqëson njerëz jetë, familje dhe histori të cilët nuk mund të reduktohen në numra, por që shteti ynë ka detyrim t’i dokumentojë me saktësi dinjitet dhe përgjegjësi”, ka thënë Kurti në ngjarjen e lansimit.
Sipas raportit, në mesin e viktimave janë edhe 1.047 fëmijë të vrarë, të moshës nga 0 deri në 17 vjeç. Po ashtu, 94 fëmijë kanë vdekur si pasojë e kushteve të luftës, ndërsa ende nuk dihet fati dhe vendndodhja e 100 fëmijëve të zhdukur me dhunë. Pjesa më e madhe e viktimave është dokumentuar gjatë periudhës mars-qershor 1999.
Vetëm gjatë këtyre muajve, sipas raportit, janë vrarë 9.948 persona, që përbëjnë rreth 81.3 për qind të të gjitha viktimave të dokumentuara. Numri i përgjithshëm i viktimave të regjistruara për këtë periudhë është 12.230 persona.
IKKL ka bërë të ditur se fushëveprimi i këtij raporti është i kufizuar në tri kategori: personat e vrarë, personat e zhdukur me dhunë dhe personat e vdekur si pasojë e luftës. Instituti ka sqaruar se përfshirja vetëm e këtyre tri kategorive nuk nënkupton se ato përbëjnë tërësinë e viktimave të luftës në Kosovë, pasi kategoritë e tjera do të trajtohen në faza të veçanta të dokumentimit.
Periudha kohore e trajtuar në raport përfshin kohën e luftës nga 1 janari 1998 deri më , si dhe periudhën pasluftës nga 21 qershori 1999 deri më . Në listë janë përfshirë viktimat që kanë lindur, kanë jetuar ose kanë pasur vendbanim në territorin e Kosovës gjatë luftës, që janë vrarë, janë plagosur në mënyrë vdekjeprurëse apo janë zhdukur në rrethana të lidhura drejtpërdrejt me luftën.
Po ashtu, raporti përfshin personat që kanë humbur jetën si pasojë e drejtpërdrejtë të plagëve të marra gjatë luftës dhe për të cilët, bazuar në dokumentacionin e verifikuar, është përcaktuar lidhja e drejtpërdrejtë me ngjarjet e luftës në Kosovë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
