Sulmuesi brazilian i Chelseat, Joao Pedro, ka dhënë një sinjal të fortë para nisjes së sezonit të ri, duke realizuar një “hat-trick” për vetëm nëntë minuta në fitoren 6-4 ndaj Western Sydney Wanderers në ndeshjen e parë miqësore të verës. 24-vjeçari, i cili sezonin e kaluar shënoi 20 gola në të gjitha garat dhe u shpall lojtari i sezonit nga tifozët e Chelseat, mbeti jashtë listës së Brazilit për Kupën e Botës.
Megjithatë, trajneri i ri i londinezëve, Xabi Alonso, tha se kjo e ka motivuar edhe më shumë sulmuesin. “Është shumë i uritur. Joao është jashtëzakonisht i vendosur të zhvillojë një sezon të madh. Pas një viti të shkëlqyer, ai dëshiron të shënojë edhe më shumë gola. Por duhet ta ndihmojmë si ekip, sepse nuk mund ta bëjë i vetëm”, deklaroi Alonso.
Sipas trajnerit spanjoll, sulmuesi brazilian ka treguar dëshirë të madhe edhe gjatë stërvitjeve, ndërsa theksoi se është i lumtur kur skuadra fiton dhe sulmuesit shënojnë. Nga ana e tij, Joao Pedro u shpreh se ndihet i lirë në lojën e tij nën drejtimin e Alonsos. “Ai është një trajner shumë i hapur. Flasim shumë dhe ndihem i lirë në fushë.
Më jep mundësinë të lëviz në pozicione të ndryshme, herë në qendër e herë në krah. Dua të arrij nivelin më të lartë të mundshëm me ekipin dhe gjithmonë të ndihmoj me gola” , tha braziliani. Ndërkohë, sulmuesi Liam Delap nuk pati paraqitje bindëse dhe u zëvendësua pas 60 minutash, mes raportimeve se mund të largohet nga Chelsea gjatë kësaj vere.
Megjithatë, Alonso hodhi poshtë spekulimet për pakënaqësi ndaj lojtarit. “Ai është në gjendje të mirë shpirtërore, po punon për të fituar formën optimale dhe po ecën mirë”, u shpreh trajneri.
Alonso e cilësoi inkurajues debutimin e tij në stolin e Chelseat, pavarësisht disa lëshimeve në mbrojtje, duke shtuar se ndeshje të tilla janë të vlefshme për përmirësimin e ekipit para fillimit të sezonit.
Chelsea do ta vazhdojë turneun parasezonal me një tjetër ndeshje miqësore kundër rivalit londinez Tottenham Hotspur në Sydney, përpara se të zhvillojë takime edhe në Hong Kong, Indonezi dhe Malajzi.
