Shpërndaje në: Lidhja Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje Prokurorisë që të hetojë presionet e pretenduara ndaj delegatëve të partisë, para Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë të ftuar për 30 korrik. Partia e tretë më e madhe në vend, ka ftuar Kuvendin me kërkesën e delegatëve për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku.
Një ditë më parë, “Dukagjini” publikoi një incizim në të cilin pretendohej për presion të një zyrtari të Komunës së Prishtinës mbi një delegat për punësim të një familjari, lidhur me nënshkrimin në thirrjen e Kuvendit për shkarkimin e Abdixhikut.
Ndërkaq partia sot ka reaguar duke dënuar rastin e të cilin e ka cilësuar si sjellje të papranueshme të zyrtarëve publikë dhe në kundërshtim me Statutin e LDK-së dhe në kundërshtim me ligjin. “LDK është ndërtuar mbi lirinë e mendimit, votës dhe bindjes.
Askush e aq më pak ata që bartin role institucionale, nuk kanë të drejtë ta zëvendësojë vullnetin e lirë të delegatëve me frikësim, presion apo shantazh.
Prandaj, organet kompetente të LDK-së do të iniciojnë menjëherë dhe pa asnjë vonesë, procedurat statutare dhe disiplinore ndaj këtyre anëtarëve të LDK që rezultojnë të përfshirë në këtë rast, pa dallim funksioni apo pozite”, thuhet në reagim të LDK-së.
“Njëkohësisht, ftojmë organet e drejtësisë, në veçanti Prokurorinë, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht të gjitha rrethanat e këtij rasti dhe për të vendosur përgjegjësi ligjore mbi elementet e veprave penale. LDK nuk do të tolerojë asnjë veprim që cenon lirinë e vendimmarrjes, integritetin e proceseve tona demokratike dhe dinjitetin e njerëzve tanë.
Demokracia nuk mbrohet me presion. Ajo mbrohet me votë të lirë”, thuhet në reagim. LDK-ja në zgjedhjet e 7 qershorit sërish doli partia e tretë. Ajo u rrit për tre deputetë, duke shkuar në 18.
Edhe Arbëri 25 kor 2026 Aleanca: Nëse plotësohen kërkesat tona, e pranojmë Konjufcën president Pas zgjedhjeve, kryetari Abdixhiku pati takim me kryetarin e Vetëvendosjes fituese, Albin Kurti, për formim të institucioneve. KOHA ka raportuar se në takim pati pajtim në parim për marrëveshje.
Por bisedimet u pezulluan, pasi u mblodhën nënshkrimet e delegatëve për Kuvend të jashtëzakonshëm të LDK-së.
