Robert Lewandowski refuzoi një ofertë marramendëse prej 200 milionë eurosh nga Arabia Saudite përpara se të transferohej te Chicago Fire në MLS, ka zbuluar agjenti i tij, Pini Zahavi. Në një intervistë për portalin polak WP SportoweFakty, Zahavi konfirmoi se sulmuesi polak ishte pranë një kalimi në Ligën Profesionale Saudite në fillim të vitit 2026.
Sipas tij, oferta parashikonte një kontratë dyvjeçare me vlerë totale 200 milionë euro, ose 100 milionë euro në sezon. “Është e vërtetë, Roberti donte të shkonte në Arabinë Saudite. Ne gjithashtu e dinim se shumë para do të na prisnin atje”, deklaroi Zahavi. Megjithatë, Lewandowski vendosi të qëndronte te Barcelona.
Sipas agjentit të tij, arsyeja kryesore nuk ishte financiare, por sportive. Situata ndryshoi vetëm kur trajneri Hansi Flick dhe drejtori sportiv Deco nuk mund t’i garantonin më 37-vjeçarit një vend të rregullt në formacionin titullar. “Ata nuk mund t’i jepnin Robertit një garanci për një vend në formacionin titullar, gjë që ishte më e rëndësishme për të sesa paratë.
Deco dhe Hansi kishin vizione të tjera për të ardhmen e Robertit në Barcelonë, kështu që nga një pikë e caktuar e tutje menduam për opsione të tjera”, shtoi Zahavi. Në fund të qershorit, Chicago Fire zyrtarizoi transferimin e Lewandowskit si lojtar i lirë, pasi kontrata e tij me Barcelonën përfundoi më 1 korrik. Klubi amerikan nuk pagoi dëmshpërblim për kartonin e sulmuesit polak.
Lewandowski, i cili ka fituar 14 tituj kampionë në Gjermani, Spanjë dhe Poloni, si dhe Ligën e Kampionëve me Bayern Munich në vitin 2020, tashmë ka debutuar me fanellën e Chicago Fire, edhe pse skuadra e tij u mposht 3:2 nga Inter Miami.
