Al-Ittihad ka mbyllur marrëveshjen për lojtarin që do ta zëvendësojë mbrojtësin e majtë shqiptar, Mario Mitaj, në sezonin e ardhshëm. Raportimet e fundit kishin bërë të ditur se Mitaj është pranë largimit nga Al-Ittihad gjatë kësaj vere, me një transferim te skuadra italiane Genoa që po merr gjithnjë e më shumë formë.
Sipas gazetës saudite “Asharq Al-Awsat”, Al-Ittihad ka siguruar shërbimet e mbrojtësit të majtë të Neom, Fares Abdi, pasi dy klubet kanë arritur marrëveshje. Abdi la pas disa kandidatë të tjerë që ishin në listën e Al-Ittihad për të marrë rolin e mbrojtësit të majtë në sezonin e ri. 27-vjeçari ka një karrierë të pasur.
I lindur në Kaliforni, ai e nisi karrierën te klubet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përpara se të debutonte në Ligën Saudite me Al-Wehda në vitin 2020. Përveç Al-Wehda, Abdi ka luajtur edhe për Al-Qadsiah, Al-Fayha dhe Neom, skuadër së cilës iu bashkua verën e kaluar. Gjatë sezonit të fundit ai zhvilloi 34 ndeshje dhe regjistroi 3 asistime.
