Kriza e LDK-së, te lideri apo te modeli organizativ?

0%

Nëse bazohemi në informacionin e fundit, ku LDK-ja, përkatësisht kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, e pranoi kërkesën për llogaridhënie, që në fakt është edhe një lloj satisfaksioni jo vetëm moral, por edhe politik për gjithë votuesit e këtij subjekti, por edhe për publikun e gjerë.

Unë gjykoj se i gjithë pluhuri i ngritur për (mos)suksesin e tij si lider dhe të LDK-së si subjekt me traditë të gjatë politike nuk është i rastësishëm.

Në fakt, pyetja thelbësore në rastin për të cilin po flasim nuk është vetëm nëse Lumir Abdixhiku duhet apo jo të japë dorëheqje, por nëse problemi i kësaj plandosjeje sistematike të LDK-së është produkt i paaftësisë së Lumirit dhe mungesës së karizmës së tij për ta gjetur formulën e duhur për fitore politike, apo nëse problemet duhet të adresohen diku tjetër, si p.sh. te rishqyrtimi i modelit dhe i narrativës së organizimit të të gjitha strukturave partiake.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Nga ana tjetër, është tejet pozitive që LDK-ja këtë insistim të disa degëve superiore duhet ta shohë edhe si një lloj “sprove hamletiane”, madje edhe ekzistenciale, për ta testuar si madhështinë e saj të dikurshme (që operonte si një lloj “federate” politike), ashtu edhe vogëlësinë e saj të sotme (që operon si një lloj “konfederate” politike), përmes organeve të saj të bazuara në Statutin e vet.

Pra, akti i insistimit për dorëheqjen (ose mosdorëheqjen) e mundshme të kryetarit të LDK-së, profesorit Lumir Abdixhiku, nuk është ndonjë kërkesë apo insistim i menjëhershëm nga individë ose grupe interesi brenda vetë këtij subjekti. Përkundrazi, është një tagër që vetë Lumiri e ka promovuar vazhdimisht publikisht, në rast se nuk arrin ta rrisë kuotën elektorale.

Megjithatë, për ta argumentuar sociologjikisht këtë konstatim, duhet paraprakisht të parashtrojmë disa hipoteza analitike e sociologjike. E para, ajo që mund të adresohet rreth kësaj tematike ka të bëjë me krizën e thellë të legjitimitetit politik që është duke e përcjellë këtë subjekt, ku pothuajse të njëjtat klane zhvillojnë beteja për marrjen e primatit dhe legjitimitetit politik.

Një pjesë e anëtarësisë, por edhe e opinionit të gjerë publik, ka filluar të bindet se rezultatet në të gjitha këto palë zgjedhje nuk po përputhen askund me pritjet, me planet e as me narrativën e ndonjë fitoreje, qoftë edhe “fitore të Pirros”, të këtij subjekti me historinë më të gjatë politike, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Të paktën kështu flet logjika e përgjegjësisë politike.

E dyta, lidershipi aktual i këtij subjekti, por edhe vetë kryetari, madje edhe publiku i gjerë, duhet ta kuptojnë se në demokracitë bashkëkohore suksesi dhe dështimi shpesh i atribuohen individit dhe jo organizatës.

Në secilën parti politike bashkëkohore, figura e kryetarit është “lokomotiva” simbolike e të gjitha kënaqësive e pakënaqësive, sukseseve e dështimeve, por edhe e fitoreve apo humbjeve në një cikël të caktuar zgjedhor.

E treta, dorëheqja e kërkuar, pa asnjë dyshim, duhet parë edhe si narrativë e një pjese të konkurrencës brenda vetë partisë, e cila bën plane si për kontrollin e partisë, ashtu edhe për pozicionet e saj, gjë që është një e drejtë legjitime në çdo parti politike bashkëkohore.

Tekefundit, ndërrimi i elitave politike, sipas Vilfredo Pareto-s, por edhe Gaetano Mosca-s, është një proces jo vetëm i shëndetshëm për partitë politike, por edhe i domosdoshëm, sepse ua rikujton liderëve përgjegjësinë që kanë si për dështimet, ashtu edhe për sukseset.

Shikuar nga këndvështrimi sociologjik, ky Kuvend nuk është thjesht një proces zgjedhor brenda LDK-së, por, në gjykimin tim, është një test i aftësisë së saj për ta rikthyer kohezionin organizativ dhe besimin e humbur publik. Në këtë situatë, kujtoj se, më shumë se emrat, rëndësi do të ketë mesazhi që Kuvendi do t’i dërgojë elektoratit dhe gjithë skenës politike.

Burimi: Bota Sot