Një video e publikuar në rrjetin social YouTube, ku një i mitur shfaqej me armë në dorë dhe në brez, ka vënë në lëvizje Policinë e Kosovës, e cila ka kryer bastisje në shtëpinë e tij në Istog. Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari është E.Z 17-vjeçar.
Sipas informacioneve, Njësia e Hetimeve kishte pranuar informacion se më , i mituri kishte publikuar pamje në YouTube, ku shfaqej duke mbajtur armë. Pas koordinimit me Prokurorin e Shtetit për të Mitur, është siguruar urdhër verbal dhe më pas autorizimi për kontroll, ndërsa Policia ka bastisur shtëpinë dhe objektet përcjellëse të familjes së tij.
Megjithatë, gjatë bastisjes nuk është gjetur asnjë armë apo send tjetër i paligjshëm. Pas përfundimit të kontrollit, E.Z është shoqëruar në Stacionin Policor në Istog, ku është intervistuar në prani të prindit dhe avokatit mbrojtës. Në cilësinë e dëshmitarit është intervistuar edhe prindi i tij.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”, ndërsa i mituri është liruar në procedurë të rregullt. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
