Sulmuesi anësor i Real Madridit, Vinicius Jr, do të qëndrojë në “Bernabeu” edhe pas kësaj vere, pavarësisht se kontrata e tij skadon pas 11 muajsh, sipas raportimeve. Arsenali, kampion i Premierligës, ka qenë një nga klubet më të përfolura për një transferim të brazilianit, por duket se do të mbetet duarbosh falë ndërhyrjes së trajnerit të ri të Real Madridit, Jose Mourinho.
Nëse Vinicius Jr dhe Real Madridi nuk arrijnë marrëveshje për rinovimin e kontratës, ai do të jetë lojtar i lirë në verën e vitit 2027. Sipas raportimeve, 26-vjeçari po kërkon një pagë javore më të lartë se ajo e Kylian Mbappe, aktualisht futbollisti më i paguar te Real Madridi. Një tjetër pikë që ka bllokuar negociatat është marrëveshja për të drejtat e imazhit dhe përfitimet komerciale.
Ylli brazilian i Kupës së Botës ka qëndruar larg stërvitjeve të klubit ndërsa ende nuk është arritur një marrëveshje, duke lënë të paqartë të ardhmen e tij të afërt. Megjithatë, sipas “Sky Sports”, Vinicius nuk do të largohet gjatë kësaj vere dhe çështja e kontratës është shtyrë për më vonë.
“Klubi spanjoll nuk ka asnjë qëllim ta shesë atë dhe është i bindur se ai do të nënshkruajë një kontratë të re”, shkruan “Sky Sports”.
“Trajneri i ri, Jose Mourinho, e vlerëson shumë Viniciusin dhe dëshiron që ai të mbetet një nga ‘Galaktikët’ kryesorë të skuadrës.” Edhe pse është përfolur mundësia e një largimi nga Madridi, Vinicius mbetet një nga figurat më të rëndësishme dhe më të dashura të klubit, ndaj pritet që të dyja palët të gjejnë një zgjidhje.
Real Madridi nuk dëshiron që një lojtar me peshën e tij të hyjë në vitin e fundit të kontratës, por po ashtu shitja e tij këtë verë nuk është pjesë e planeve të Jose Mourinhos. “Nuk ka ende asnjë provë të fortë publike që Vinicius dëshiron të largohet nga Real Madridi, qoftë për arsye sportive apo të tjera.
Nuk ka deklarata, intervista apo postime në rrjetet sociale që ta sugjerojnë këtë”, vijon raportimi i “Sky Sports”. “Real Madridi dhe, më e rëndësishmja, trajneri i ri Jose Mourinho dëshirojnë që ai të qëndrojë dhe të rinovojë kontratën.
“Presidenti i klubit, Florentino Perez, është përfshirë personalisht në këtë çështje dhe publikisht ka shprehur dëshirën që Vinicius të mbetet në klub për një kohë të gjatë. Raportimet në Spanjë prej kohësh kanë theksuar se të dyja palët preferojnë vazhdimin e bashkëpunimit.
Real Madridi nuk dëshiron ta lejojë që kontrata e tij të përfundojë dhe ai të largohet si lojtar i lirë.” Vinicius Jr iu bashkua Real Madridit nga Flamengo në vitin 2018. Që atëherë ai ka zhvilluar më shumë se 375 ndeshje në të gjitha garat me fanellën e klubit madrilen, duke fituar tre tituj të La Ligës, dy trofe të Ligës së Kampionëve dhe dy Kupa të Botës për Klube.
Me vitet më të mira të karrierës ende përpara, nuk është aspak surprizë që Real Madridi dëshiron ta mbajë në skuadër. Nëse arrihet një marrëveshje për aspektin financiar dhe për të drejtat komerciale, rinovimi i kontratës në “Bernabéu” duket si zgjidhja më logjike.
