Nga: Donisa Fazliu Shpërndaje në: Gjykata Themelore në Prishtinë e ka liruar nga akuza Sami Lushtakun dhe të tjerët, të akuzuar për frikësim të dëshmitarëve në rastin “Drenica”.
Sipas Gjykatës, nuk është vërtetuar se ata kryen veprën penale për të cilën u akuzuan Aktgjykim lirues ka shpallur Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve që akuzoheshin për frikësim dëshmitarësh një dekadë më parë, gjatë procesit gjyqësor për krime lufte, i njohur si rasti “Drenica”. Sipas aktakuzës, ata detyruan dy dëshmitarë t’i ndryshojnë dëshmitë.
Por, kryetari i trupit gjykues, Leon Përlaska, ka thënë se nuk është vërtetuar se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale.
“Të pandehurit Sami Lushtaku, Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani me të dhënat si në shkresat e lëndës, lirohen nga të gjitha pikat e aktakuzës, për shkak se nuk është provuar se kanë kryer veprat penale, pengim të dëshmisë apo të procedurës zyrtare, si dhe frikësim gjatë procedurës penale në bashkëkryerje”, ka thënë Përlaska.
Gjyqtari Përlaska ka dhënë edhe një arsyetim të shkurtër lidhur me lirimin nga akuza për të pandehurit. “Sa i përket për vendimin për fajësimin u mbështet në provat në shqyrtim gjyqësor, realisht kur vendosi që të pandehurit të shpallen të pafajshëm, gjeti se faktet në të cilat mbështetet aktakuza, asnjëra nga provat nuk i ka vërtetuar të njëjtat dhe nuk i ka provu asnjë nga provat relevante, nga të cilat është ndërtuar kjo aktakuzë.
Kjo gjykatë, e vlerësoi dëshminë e dëshmitarit të emërtuar ‘C’, ku e mohoi kategorisht se të njëjtit kanë ndikuar te i njëjti për ndryshim të deklaratës”, ka thënë gjyqtari Përlaska. Edhe LAJMET E MBRËMJES 25 shk 2026 Rinis gjykimi ndaj Lushtakut e të tjerëve për frikësim të dëshmitarëve në rastin “Drenica” Gjatë shpalljes së aktgjykimit, nuk ishte i pranishëm Lushtaku.
Bashkë me të, gjykata i ka liruar edhe Ismet Haxhën, Rrustem Rrukollin, Fatmir Mjakun, Rexhep Xhotën, Skender Tahirin, Sheremet Jasharin dhe Bajram Dibranin. Aktualisht, Lushtaku është kryetar i Komunës së Skënderajt.
