Inspektorati i Punës: Vinçi që u rrëzua në Prishtinë po montohej,

0%

Inspektorati Qendror i Punës ka dhënë detaje lidhur me aksidentin e rëndë që ndodhi të martën në një vendpunishte në Lagjen e Spitalit në Prishtinë, ku humbi jetën një 26-vjeçar, ndërsa një 18-vjeçar mbeti i lënduar. Sipas njoftimit të Inspektoratit, vinçi që u rrëzua ishte në proces montimi në momentin kur ndodhi aksidenti.

“Vinçi ishte duke u montuar në momentin e aksidentit”, thuhet në reagim. Inspektorati ka bërë të ditur se vinçi i përket kompanisë “Vëllezërit Asllani” dhe se ai nuk kishte qenë i inspektuar më parë, pasi punimet në atë lokacion ndodheshin ende në fazën fillestare të ndërtimit.

Lidhur me shkaqet e aksidentit, ky institucion ka theksuar se është ende herët për të nxjerrë përfundime, pasi rasti kërkon hetime dhe ekspertiza të detajuara.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Një i vdekur dhe një i lënduar pas rrëzimit të vinçit në një punishte në Prishtinë “Sa i përket shkakut të aksidentit, në këtë fazë është ende herët të nxirret një konstatim inspektues, pasi natyra dhe rrethanat e rastit kërkojnë hetime dhe ekspertiza të mëtejshme për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit, si dhe përgjegjësinë lidhur me zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë”, thuhet në njoftim.

Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se inspektorët kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë duke zhvilluar veprimet inspektuese në koordinim me Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit dhe institucionet e tjera kompetente. Aksidenti ndodhi gjatë ditës së martë në një punishte ndërtimi në zonën e Lagjes së Spitalit në Prishtinë.

Si pasojë e rrëzimit të vinçit, një 26-vjeçar humbi jetën pasi nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra, ndërsa një 18-vjeçar mbeti i lënduar dhe po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit dhe për të përcaktuar nëse janë respektuar standardet ligjore të sigurisë dhe shëndetit në punë.

Burimi: Telegrafi