Në Japoni po raportohet për një “shpërthim” brenda qendrës tregtare Aeon Mall në Kumamoto. Sipas ANSA, transmetuesi NHK raporton se “shumë njerëz” kishin mbetur të bllokuar. Prefektura e Kumamotos ishte goditur rëndë edhe nga një tërmet i dyfishtë me magnitudë 6.5 dhe 7.3 dhjetë vjet më parë, ku vdiqën 270 persona.
Operacionet e shpëtimit janë duke vazhduar, ndërsa banorët mbeten në gatishmëri për lëkundje të mundshme pasuese. Sipas televizionit TBS, tërmeti në Japoni shkaktoi një numër “të konsiderueshëm” viktimash në një qendër tregtare Aeon Mall në Kumamoto. Ndërkohë, Agjencia Meteorologjike e Japonisë ka hequr paralajmërimin për cunami pas tërmetit të fuqishëm që goditi jugperëndimin e Japonisë.
Paralajmërimi u hoq nga uebfaqja e agjencisë më pak se dy orë pas tërmetit me magnitudë 7.1. Tërmeti, i cili goditi ishullin Kyushu, shkaktoi disa të lënduar, shembje të ndërtesave dhe zjarre, sipas kryeministres Sanae Takaichi. Të paktën 50 persona janë shtruar në spital pas tërmetit të fuqishëm që goditi jugperëndimin e Japonisë, raportoi NHK.
Gjithashtu është raportuar për shembjen e 12 shtëpive, ndërsa katër persona kanë mbetur të bllokuar brenda tyre.
