Ferizaj ka qenë mikpritës i Kampionatit Ballkanik U-17 në volejboll (femrat). Një kampionat që u mbajt javën e kaluar dhe u vlerësua pozitivisht, ku dolën edhe disa talente në sipërfaqe të sportit skofiar.
Presidenti i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Bahri Gjinovci, ka folur se cila ishte e mira e kësaj ngjarje të madhe që u mbajt në Republikën e Kosovës, cila është situata nëpër klube, ka talente me perspektivë në këtë sport dhe çfarë e shqetëson më së shumti aktualisht. Kosova “Bota sot”: Kampionati Ballkanik U-17 për femrat u mbajt në Ferizaj. Çfarë solli në përgjithësi?
Bahri Gjinovci : Kampionati Ballkanik U-17 për vajza ishte një nga ngjarjet të rëndësishme sportive që kemi organizuar në vitet e fundit dhe përfaqëson një sukses të madh për Federatën e Volejbollit të Kosovës dhe për sportin tonë në përgjithësi.
Gjatë pesë ditëve të garave, Kosova dëshmoi se ka kapacitetet organizative, profesionale dhe infrastrukturore për të pritur me sukses kompeticione ndërkombëtare të nivelit të lartë.
Përveç cilësisë së ndeshjeve, ky kampionat kontribuoi në promovimin e Kosovës si një organizatore serioze dhe e besueshme, forcoi bashkëpunimin me federatat e vendeve të Ballkanit dhe krijoi një imazh shumë pozitiv për volejbollin tonë.
Njëkohësisht, ishte një mundësi e shkëlqyer që volejbollistet tona të reja të fitojnë përvojë të çmuar ndërkombëtare duke u përballur me kundërshtare cilësore. “Bota sot”: Kosova megjithatë nuk arriti në tre vendet e para, ky brez që po vjen ka një perspektiv? Bahri Gjinovci : Pa asnjë dyshim.
Në këto grupmosha, rezultati është i rëndësishëm, por prioriteti ynë është zhvillimi i gjeneratave të reja dhe ndërtimi i një baze të fortë për të ardhmen e volejbollit të Kosovës. Ky kampionat tregoi se kemi lojtare me potencial të madh, të cilat me punë sistematike, përgatitje profesionale dhe më shumë përvojë ndërkombëtare do të zhvillohen edhe më shumë.
Federata po investon vazhdimisht në grupmoshat e reja, por është shumë e rëndësishme që edhe klubet t’i kushtojnë edhe më shumë vëmendje dhe përkushtim zhvillimit të talenteve. Pikërisht aty ndërtohet e ardhmja e volejbollit tonë.
Jam i bindur se, me këtë qasje dhe me bashkëpunimin e ngushtë mes Federatës dhe klubeve, brenda pak vitesh do të kemi një gjeneratë shumë të fortë që do të jetë baza e Kombëtares A dhe do ta ngritë edhe më lart nivelin e volejbollit të Kosovës “Bota sot”: Organizimi është vlerësuar më notë të lartë, por cila është e mira e këtij organizimi për Kosovën?
Bahri Gjinovci: Ky organizim ishte një mundësi e shkëlqyer për të dëshmuar se Kosova është e gatshme të presë dhe të organizojë me sukses ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare sportive.
Vlerësimet shumë pozitive nga Federata Ballkanike dhe të gjitha delegacionet pjesëmarrëse e kanë forcuar imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe kanë rritur besimin që vendi ynë të jetë organizator edhe i kampionateve të tjera në të ardhmen.
Përveç promovimit të sportit, këto ngjarje kontribuojnë edhe në promovimin e shtetit tonë, krijojnë bashkëpunime të reja ndërkombëtare dhe u japin sportistëve tanë mundësinë të garojnë në nivel të lartë para publikut vendas. Ky është një investim i rëndësishëm për zhvillimin e volejbollit dhe të sportit në Kosovë. “Bota sot”: Cilat janë sfidat e radhës me kombëtare?
Bahri Gjinovci: Kombëtaret tona i pret një periudhë me shumë sfida, por edhe me objektiva të qarta. Prioriteti ynë është të ndërtojmë kombëtare gjithnjë e më konkurruese, duke siguruar përgatitje cilësore, më shumë grumbullime dhe pjesëmarrje të rregullt në garat zyrtare ndërkombëtare.
Vetëm përmes vazhdimësisë së punës dhe ndeshjeve me kundërshtarë të fortë mund të arrijmë nivelin që synojmë. Njëkohësisht, synojmë që çdo gjeneratë të jetë më e fortë se ajo paraprake, në mënyrë që Kombëtaret e Kosovës të mos jenë vetëm pjesëmarrëse në garat ndërkombëtare, por të jenë konkurruese dhe të luftojnë për rezultate sa më të larta.
Kjo është rruga që jeni duke e ndërtuar dhe jemi të bindur se me punë, disiplinë dhe bashkëpunim do ta arrijmë. “Bota sot”: Çfarë i duhet më shumë volejbollit tonë në përgjithësi që të rrisin niveli? Bahri Gjinovci : Për të ngritur nivelin e volejbollit në Kosovë, duhet të vazhdojmë të investojmë në mënyrë të qëndrueshme në gjeneratat e reja. Pikërisht aty ndërtohet e ardhmja e çdo sporti.
Klubet kanë një rol vendimtar dhe besoj se duhet t’i kushtojnë edhe më shumë rëndësi punës me moshat e reja, duke krijuar programe cilësore zhvillimi dhe duke u ofruar të rinjve mundësi më të mira për stërvitje dhe garim. Po aq e rëndësishme është edhe mbështetja financiare.
Me kushte më të mira financiare, klubet mund të sigurojnë trajnerë më të kualifikuar, kushte më cilësore stërvitore dhe pjesëmarrje më të madhe në gara vendore e ndërkombëtare. Investimi në edukimin e trajnerëve është gjithashtu thelbësor, sepse zhvillimi i sportistëve fillon nga cilësia e punës së trajnerit. “Bota sot””: Cilat janë kushtet në përgjithësi të klubet dhe të kombëtaret?
Bahri Gjinovci : Kushtet në volejbollin e Kosovës kanë shënuar përmirësime të vazhdueshme në vitet e fundit, megjithatë ende ka hapësirë të konsiderueshme për avancim.
Shumica e klubeve punojnë me përkushtim dhe me burime të kufizuara, duke investuar në zhvillimin e sportistëve të rinj, ndërsa Federata vazhdon të mbështesë klubet dhe kombëtaret përmes organizimit të garave, grumbullimeve, pjesëmarrjes në kompeticione ndërkombëtare dhe projekteve zhvillimore.
Megjithatë, për të arritur një nivel më të lartë konkurrues, nevojiten investime më të mëdha, mbështetje financiare dhe kushte më cilësore stërvitore. Vetëm nëse sportistët dhe trajnerët punojnë në një mjedis profesional, mund të presim zhvillim të qëndrueshëm dhe rezultate më të mira.
“Bota sot”: A prisni që të dalin në sipërfaqe talentet që do të janë bazë e fortë për Kombëtaren A brenda 3-4 viteve të ardhshme? Bahri Gjinovci: Po, jam i bindur se po. Duke parë talentin dhe cilësinë që kanë treguar gjeneratat e reja, besoj se brenda një të ardhme të shkurtë do të kemi lojtare që do të jenë baza e fortë e Kombëtareve.
Kemi identifikuar disa talentë/e shumë premtuese, të cilat me vazhdimësi në punë dhe më shumë përvojë ndërkombëtare do të jenë të gatshme të përfaqësojnë Kosovën në nivelin më të lartë. Synimi ynë është që çdo gjeneratë të sjellë më shumë cilësi dhe ta bëjë Kombëtaren gjithnjë e më konkurruese. “Bota sot”: Ku shpresoni më shumë se do të kemi rritje, te femra apo të meshkuj?
Bahri Gjinovci: Synimi ynë është zhvillimi i barabartë i volejbollit si te femrat, ashtu edhe te meshkujt. Megjithatë aktualisht rritja më e madhe po vërehet te volejbolli i femrave, pasi rreth 65% e klubeve tona garojnë në konkurrencën e femrave dhe kemi një numër më të madh ekipesh e shkollash të volejbollit.
Kjo ka krijuar një bazë më të gjerë talentesh dhe konkurrencë më të madhe, gjë që reflektohet edhe në rezultatet e arritura. Në të njëjtën kohë, na gëzon fakti që edhe volejbolli i meshkujve është në një fazë zhvillimi dhe po shënon progres nga viti në vit.
Besoj se, me vazhdimin e këtij ritmi dhe me zgjerimin e bazës së të rinjve, në të ardhmen do të kemi rritje të qëndrueshme dhe rezultate edhe më të mira në të dyja konkurrencat. “Bota sot”: Çfarë iu shqetëson më shumë?
Bahri Gjinovci: Shqetësimi im më i madh është të ndërtojmë një të ardhme të qëndrueshme për volejbollin e Kosovës, ku çdo talent të ketë mundësinë të zhvillohet dhe të arrijë potencialin e tij të plotë. Përgjegjësia jonë është të krijojmë një sistem që prodhon vazhdimisht lojtarë cilësorë dhe garanton zhvillim afatgjatë.
Vetëm me investime të vazhdueshme, punë profesionale dhe bashkëpunim të të gjithë akterëve të volejbollit mund të sigurojmë që sporti ynë të vazhdojë rritjen dhe të jetë gjithnjë e më konkurrues në arenën ndërkombëtare.