Lëre ta dëgjojë zemrën

0%

Kokën e vendosa mbi gjoksin e tij të zhveshur dhe dëgjoja ritmin e zemrës që i rrihte pa ndërprerje. Ai flinte, kurse unë doja ta ndieja atë ritëm dhe të përkoja frymëmarrjen time me të tijën, të thellë e të ngadaltë, si frymëmarrja e një dragoi.

Jashtë mureve të dhomës sonë të fjetjes shtrihej një natë e errët e e trazuar, ku dukej sikur gjithë kuçedrat e legjendave kacafyteshin dhe turreshin t’ia mbysnin frymën njëra-tjetrës. Ishte fillim vjeshte, por shirat e shpeshtë e kishin bërë atë muaj tetor të frikshëm. Qielli, ditë pas dite, mbetej i errët; retë vërshonin njëra pas tjetrës, sikur garonin me njëra-tjetrën për shpejtësi.

Vetëtimat ndriçonin natën, kurse bubullimat më bënin të dridhesha i tëri nga frika. Sa herë vetëtinte, unë mbuloja kokën me batanije; por sa herë futesha në krevatin e babait tim dhe mbetesha pranë tij, ndihesha më i sigurt e i besoja pa kushte.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Vinte vonë në shtëpi dhe ikte herët për në punë, por kur ishte me mua, kujdesej më shumë se kushdo – më sillte gjithmonë diçka, mundohej gjithmonë të më privilegjonte. “Mos e prek djalin,” i thoshte nënës sa herë ajo turrej të më bërtiste. Dhe kur ai vinte në shtëpi, unë bëhesha më kryeneç e nuk i bindesha më askujt tjetër.

Një ditë im atë iku – u shua si një meteor i largët – dhe unë mbeta vetëm me nënën, e cila shpesh më vinte në gjumë në prehrin e saj, duke më kënduar ninulla të përziera me lot malli. Sa të gjata ishin, sidomos, netët e para, kur ende nuk isha mësuar me mungesën e tij! Shpesh prisja tek dera, duke besuar se im atë do të vinte.

Do të trokiste, do të më merrte në krahë, do të më puthte e pastaj do të largohej sërish. Dhe ndërsa prisja kështu, në mendje më kthehej vazhdimisht ritmi i rrahjeve të zemrës së tij – ritëm që më dukej se e njihja mirë, si të mos e kisha ndarë kurrë prej vetes. Vitet kaluan shpejt dhe një ditë u bëra edhe unë baba.

Tim bir e mbaja gjithnjë me vete; e doja pa masë, edhe pse ishte çapkën e i trazuar. Ishte ditëlindja e tij e ai mbushte pesë vjeç. Pasi kishim ngrënë darkën festive dhe po ktheheshim në shtëpi, ai më tha se donte të flinte me mua ate natë. – Mirë, – i thashë, – sonte do të flesh në krevatin tim.

Erdhi ngadalë, u zhvesh dhe u fut nën çarçafë. – Jam shumë i lumtur, babi, – më tha, dhe e mbështeti kokën mbi gjoksin tim. Unë humba në kujtimet e fëmijërisë sime të largët, kur mundohesha të ritmoja frymëmarrjen time me atë të babait. M’u duk sikur po dëgjoja përsëri rrahjet e asaj zemre – por tani isha unë ai që fillova të ritmoja frymëmarrjen me birin tim.

Si përmes një ëndrre, m’u duk se isha përsëri në krahët e babait tim, ndërkohë që dora ime, pa vetëdije, u ngrit e nisi të përkëdhelte flokët e tim biri. – Babi, sa te madhe e ke zemrën? – pyeti si përgjysmë në gjumë. – Ja, si të të them… sa e një kau, – m’u duk sikur foli im atë përmes meje. – A e ke dëgjuar ti kur rrihte zemra e gjyshit? – Po, rrihte fort, biri im. – Po gjyshi, sa tw madhe e kishte zemrën? – Gjyshi e kishte zemrën të madhe dhe të fortë, biri im. – Po pse e kishte kaq të madhe? – Sepse të gjithë në kohën e gjyshit e kishin zemrën të madhe, biri im.

Ata u ndeshën me një kuçedër të zezë, të madhe, me shumë koka, që vinte si një stuhi e fuqishme nga të gjitha anët. Rendte nëpër trojet tona, kërkonte t’u ngjitej maleve, kërkonte të na sillte një fe tjetër, një gjuhë tjetër, një kulturë tjetër. Gjyshërit tanë i dhanë fjalën njëri-tjetrit, u lidhën krah më krah dhe dolën ta përballonin kuçedrën e zezë.

Kishin zemra të mëdha e të forta; u ndeshën gjatë dhe, në fund, ia këputën të gjitha kokat. – Po pse erdhi këtu kuçedra e zezë me shumë koka? – Donte të na mposhtte e të na merrte tokat. Të na prishte varret e shtëpitë. Të na shkatërronte gjithçka.

Por gjyshërit nuk e lanë. – Fli tani, – m’u duk sikur pëshpëriti im atë, dhe një gjumë i lehtë e i ëmbël po më mbulonte sytë, kur im bir u hodh papritur në këmbë, duke më nxjerrë nga ai kujtim fëmijërie. – Arbër, ku po shkon? – pyeta, i frikësuar mos rrëzohej. – Babi, këtu, brenda gjoksit tënd, dëgjohet një orë që troket pareshtur. – Nuk është orë, biri im.

Është zemra e babit. – Po unë, a nuk jam unë “zemra e babit”? – pyeti im bir. (Sa herë e merrja në krahë, e përkëdhelja duke i thënë: “eja, zemra e babit!”) – Je, biri im. Prandaj zemra ime rreh kaq fort. – Po babai yt ku është, që unë s’e njoh? Ja, mami e ka babain e vet. Unë të kam ty. Edhe Rigersi e ka babain e vet. Vetëm ti s’ke babi.

Të gjithë e kanë babain e tyre. – Edhe unë e kam pasur babain tim, biri im. Ishte shumë njeri i mirë, por tani nuk është më – është ngjitur në qiell dhe fluturon mes yjeve, në kupën qiellore. Trupin ia kemi varrosur, dhe vetëm trupi i tij mbetet në tokë; shpirti tashmë është i lirë, në qiellin pa fund. – Po varrin, kur do të ma tregosh? – Fli tani, se është vonë.

Një ditë tjetër do të të tregoj për gjyshin. Edhe unë e kam dëgjuar zemrën e tij si rrihte – ja, vëre kokën këtu e dëgjo zemrën e babit; ashtu rrihte edhe zemra e gjyshit. Mua mw zinte gjumin duke dëgjuar atë ritëm dhe kurrë nuk e kam harruar. Më kujtohet gjithmonë, sidomos kur ti, kështu, flen mbi gjoksin tim. Natën e mirë, biri im! – Natën e mirë, babi.

Unë gjithmonë do të fle me ty, që të mos harrosh gjyshin – dhe unë do ta mësoj ritmin e zemrës së tij. Im bir fjeti shpejt, por mua nuk më zuri gjumi gjithë natën. Kisha frikë se mos e trembja dhe ia prishja gjumin. Ndërkaq, diku brenda meje, m’u duk sikur im atë më pëshpëriti edhe një herë: Mos ia prish gjumin. Lëre ta dëgjojë ritmin e zemrës tënde.

Burimi: Bota Sot