Gjykata e dënon më 10 vjet burg Shaqir Lutvijën, akuzohet për krime

0%

Gjykata Themelore në Prishtinë edhe në rigjykim e ka gjetur fajtor dhe e ka dënuar me 10 vite burg Shaqir Lutvijën, i akuzuar për krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Lutvija akuzohet nga Prokuroria Speciale se gjatë periudhës 1998-1999, në cilësinë e inspektorit dhe policit në stacionin policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje, ka aplikuar masa represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor të popullatës civile shqiptare. Shpallja e këtij aktgjykimi u bë të martën, më , nga gjyqtari Kujtim Krasniqi.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Shaqir Lutvija detyrohet të paguajë shpenzimet e paushallit gjyqësor në shumën prej 400 euro, si dhe shumën prej 100 euro për fondin e viktimave të krimit. Të akuzuarit me aktvendim të veçantë iu vazhdua masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore-juridike u udhëzuan në kontest të rregullt civil, ndërsa palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi kanë drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. Trupi gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga gjyqtarët: Kujtim Krasniqi (kryetar i trupit gjykues) Rrahman Beqiri dhe Violeta Namani-Hajra (anëtarë).

Kujtojmë se i akuzuari Shaqir Lutvija në nëntor të vitit 2025 ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 10 vite burg , mirëpo Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë, kështu duke e kthyer rastin në rigjykim. Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

Sipas aktakuzës së datës , i pandehuri Shaqir Lutvija akuzohet se në periudhën kohore 1998-1999, në Prizren gjatë kohës së luftës në Kosovës, në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti ka aplikuar masa represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor. Tutje, sipas aktakuzës fillimisht forcat policore dhe ushtarake serbe kanë ndërmarrë një fushatë të arrestimit të popullatës civile të nacionalitetit shqiptarë të gjinisë mashkullore, në mesin e të cilëve kanë qenë R. J., M. K., E. G., S. E., V. V., Q. K., U.

K., H. G., S. G., H. SH. dhe A. Z., të cilët pas arrestimit i dërgojnë në Stacionin Policor në Prizren. Sipas aktakuzës i pandehuri Shaqir Lutvija së bashku me të pandehurit të tjerë, në cilësinë e inspektorit i marrin në pyetje të dëmtuarit dhe gjatë procesit të marrjes në pyetje i kanë rrahur me grushte dhe shqelma, me mjete të forta dhe metoda të tjera të trajtimit çnjerëzor, ashtu që përdorë mjete të rrymës elektrike të cilat ua vendosin në pjesën e duarve dhe në organe gjenitale, me ç’rast, si pasojë e kësaj R.

J., kishte vdekur, kurse M. K., E. G., S. E., V. V., Q. K., U. K., H. G., S. G., H. SH., dhe A. Z., pësuan lëndime trupore.

Me këtë ekziston dyshimi i bazuar mirë se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale ‘Krim i luftës kundër popullsisë civile’, të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të ish-Jugosllavisë (tutje “LP i RSFJ-së”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale. Raportimet e tjera lidhur me këtë rast mund ti gjeni KËTU .

Gjykimet për krimet e luftës Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më në qeli teksa po mbahej në paraburgim. Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu.

Burimi: Kallxo