Andoni Iraola e nisi mbretërimin e tij në Liverpool me një fitore 4-2 kundër Sunderland në Nashville pak ditë më parë. Ajo çka u pa në këtë ndeshje është se tifozët e “reds” duhet ta shijojnë Iraola-ball më shumë sesa Slot-ball Ishte kori i fishkëllimave që jehonin në Anfield në fund të barazimit të vakët të skuadrës së tij me Chelsea në maj që sinjalizoi se koha e Arne Slot si trajner i Liverpool kishte mbaruar.
Ndodhi vetëm 12 muaj pasi holandezi e kishte mbajtur lart trofeun e Premier League. Por, stili i ngadaltë dhe i mbushur me posedim të topit, me topin që lëvizte pafundësisht nga njëra anë në tjetrën, i kombinuar me një rënie në rezultate, i kishte kthyer tifozët vendas kundër tij.
Pasardhësi i tij favorizon një lloj tjetër futbolli, duke e shpjeguar vizionin e tij: “Dua që skuadra ime të jetë energjike, të jetë dinamike.
Dua që të luajmë në gjysmëfushën e kundërshtarit sa më shumë që të mundemi, ndonjëherë me top, ndonjëherë pa top, dhe të përpiqemi ta mbytim kundërshtarin.” “Ndeshja e parë ishte një pikënisje e mirë, por ende ka shumë për të përmirësuar”, deklaroi trajneri spanjoll, që tha se këto takime ndihmojnë në rritjen e besimit megjithëse në fund të fundit rezultati ishte i parëndësishëm.
“Është ndeshja e parë. Mund të ndihesh i rëndë në këmbë, lojtarët kanë qenë duke u stërvitur. Pra, na mungonte pak freski. Por kjo do të na japë një pikënisje të mirë për të përmirësuar gjërat“, shtoi Iraola, që pret edhe lojtarët që ishin në botëror.
