Liqeni i Batllavës ka qenë nikoqir i garës ndërkombëtare “Kosova Sprint Triathlon 2026”, e cila mblodhi triatletë vendorë dhe ndërkombëtarë në disiplinën sprint. Gara u zhvillua në tri kategori 750 metra not, 20 kilometra çiklizëm dhe 5 kilometra vrapim, ku sportistët patën mundësinë të garojnë në një nga aktivitetet më të rëndësishme të triatlonit në vend.
Triatlonisti kosovar Albion Ymeri shënoi rezultat të jashtëzakonshëm, duke fituar medaljen e argjendtë në konkurrencën ndërkombëtare të meshkujve. Në kuadër të kësaj gare u zhvillua edhe Kampionati i Kosovës në Sprint Triathlon për seniorë dhe juniorë, ku u paraqitën sportistë të rinj dhe me përvojë.
Në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve morën pjesë presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, si dhe nënkryetari Milaim Kelmendi. Komiteti Olimpik i Kosovës ka përgëzuar Federatën e Triathlonit të Kosovës për organizimin e suksesshëm të garës, ndërsa sportistët për paraqitjet dhe rezultatet e arritura.
