Ish-mesfushori i Francës, Zinedine Zidane, do ta marrë drejtimin e ekipit kombëtar francez të futbollit si kryetrajner, ka shkruar të martën () Federata Franceze e Futbollit në X, raporton Reuters . Emërimi i ish-menaxherit të Real Madridit bëhet dy javë pasi Didier Deschamps i dha fund drejtimit të trekolorëve pasi Franca përfundoi në vendin e katër të Botërorit të sivjetmë.
Në ndeshjen e fundit në krye të kombëtares, Franca humbi 4-6 prej Anglisë. Zidane, 54 vjeç, pritet ta nisë qeverisjen e tij me Francën mysafire të Turqisë në Ligën e Kombeve, para se ekipi francez ta presë Italinë më 2 tetor në “Stade de France”.
Deschamps, i cili u largua pas 14 vjetësh në krye të kombëtares, i ka pasur 185 ndeshje, prej të cilave 120 fitore, duke e udhëhequr Francën drejt titullit kampion bote në Botërorin e vitit 2018 në Rusi, në trofeun e Ligës së Kombeve në edicionin 2020-2021, gjatë finaleve të Euro 2016 dhe Botërorit të vitit 2022 në Katar.
Të dy kanë një lidhje të kahershme, si bashkëlojtarë të ekipit kampion bote të Botërorit të vitit 1998, të mbajtur në Francë. Zidane ka pasur rol kyç në atë triumf dhe po atë vit kishte fituar Topin e Artë. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
