Me urdhër të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona si të dyshuar për krime lufte në Zubin Potok në vitin 1999. Dy personat e arrestuar janë: M.J. dhe M.B. Sipas Prokurorisë, ata dyshohen se gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë, më saktësisht gjatë vitit 1999, kanë kryer krime ndaj popullatës civile, në rajonin e Mitrovicës.
Me vendim të Prokurorisë Speciale, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, dhe do vazhdohet më tutje me veprimet procedurale të parapara me legjislacionin në fuqi. Prokuroria Speciale ka njoftuar se hetimet për rastin janë në zhvillim, dhe në këtë fazë nuk do të ketë më shumë detaje publike, për shkak të ruajtjes së integritetit të procedurës penale.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës, ka ndaluar dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, të sanksionuar me nenin 142, lidhur me nenin 22 të të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ).” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Pak orë më parë, edhe Policia e Kosovës konfirmoi arrestimin e të dyshuarve. Sipas njoftimit të Policisë, të arrestuarit dyshohen se kanë marrë pjesë më në masakrën në Zubin Potok ku janë vrarë 23 civilë shqiptarë.
