Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim Admiralin George M. Wikoff, komandant i Komandës Aleate të Forcave të Përbashkëta në Napoli. Haxhiu ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon, bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it, si dhe për koordinimin me NATO-n.
“Sot pata kënaqësinë ta pres Admiralin George M. Wikoff, Komandant i Komandës Aleate të Forcave të Përbashkëta në Napoli. Biseduam për situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon, për bashkëpunimin e institucioneve tona me KFOR-in dhe për rëndësinë e koordinimit të rregullt me NATO-n”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka falënderuar admiralin Wikoff për angazhimin dhe shërbimin e KFOR-it në ruajtjen e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes për qytetarët e Kosovës. “E falënderova Admiralin Wikoff për angazhimin e tij, si dhe për shërbimin e KFOR-it në ruajtjen e sigurisë dhe të lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar ajo.
Sipas Haxhiut, orientimi euroatlantik i Kosovës mbetet i pakthyeshëm, ndërsa anëtarësimi në NATO vazhdon të jetë synim strategjik i vendit. “Theksova se orientimi euroatlantik i Kosovës është i pakthyeshëm dhe se anëtarësimi në NATO mbetet synimi ynë strategjik”, ka shkruar ushtruesja e detyrës së presidentes.
Ajo ka shtuar se Kosova do të vazhdojë të forcojë bashkëpunimin me Aleancën dhe të kontribuojë në sigurinë e rajonit.
