Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka investuar mbi 5 milionë euro në rikonstruimin dhe zgjerimin e rrugës “Bujar Roka”, e cila është pjesë e qarkores së re të Gjakovës. Sipas ministrisë, ky projekt është pjesë e investimeve të vazhdueshme në infrastrukturën rrugore të qytetit.
Bashkë me kontratën e realizuar më herët për daljen e Gjakovës në drejtim të Prizrenit, si dhe projektin që është aktualisht në realizim për tranzitin e ri, vlera e përgjithshme e investimeve të ministrisë në qarkoren e Gjakovës arrin në 8.7 milionë euro. Projekti është hartuar nga Komuna e Gjakovës, ndërsa financimi është siguruar në tërësi nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit.
Sipas ministrisë, ky investim pritet të përmirësojë qarkullimin e automjeteve, të rrisë sigurinë në trafik dhe të krijojë kushte më të favorshme për qytetarët dhe bizneset që operojnë në këtë zonë.
