Pritshmëritë e mëdha të Turqisë në Kampionatin Botëror u shuan shumë shpejt, pasi kombëtarja turke u eliminua pas vetëm dy ndeshjeve në fazën e grupeve. Turqia pësoi humbje fillimisht nga Australia me rezultat 2:0 dhe më pas nga Paraguai me rezultat 1:0, ndonëse në ndeshjen e dytë luajti gjithë pjesën e dytë me një lojtar më shumë.
Turqit regjistruan plot 60 goditje drejt portës në dy takimet e zhvilluara, por nuk arritën të shënonin asnjë gol, duke u detyruar të largohen nga turneu shumë më herët sesa pritej. Pas dështimit të madh reagoi ashpër legjenda e futbollit turk, Nihat Kahveci, i cili gjatë një emisioni televiziv kritikoi yjet kryesorë të ekipit.
“Kur ata që duhet të marrin përgjegjësi nuk e bëjnë këtë, çfarë mund të prisnim? I pari që zhgënjeu ishte Arda Guler. E njëjta vlen edhe për Hakan Çalhanoglu. Ndërsa Kerem Akturkoglu ishte i padukshëm në të dy ndeshjet. Patëm vetëm dy raste të mira. E dini kush i krijoi? Mbrojtësit! Njërën e pati Abdulkerim Bardakci, tjetrën Mert Muldur.
Si mund të dalim nga grupi kur ata që duhet të bëjnë diferencën nuk marrin përgjegjësi? Jo vetëm që nuk e bënë punën e tyre, por u fshehën në fushë. Por unë i pashë. Arda Guler është xhevahiri ynë i çmuar. Më falni nëse tingëlloj i ashpër, por ai po shmangej nga përgjegjësia. Një lojtar që luan për Real Madrid nuk duhet të marrë kaq pak përgjegjësi.
E njëjta gjë vlen edhe për Hakan Çalhanoglun. Ndërsa Kerem Akturkoglu sikur nuk ka qenë fare në fushë për dy ndeshje” , deklaroi Kahveci. Kritikat e ish-sulmuesit kanë shkaktuar reagime të shumta në Turqi, ndërsa eliminimi i hershëm i kombëtares po konsiderohet si një nga dështimet më të mëdha të ekipit në vitet e fundit.
