Një trajner i përkushtuar futbolli dhe tre anëtarë të familjes së tij humbën jetën në një aksident tragjik automobilistik, teksa po ktheheshin në shtëpi pas një turneu futbolli në Birmingham.
Abubacarr Camarra, 36 vjeç, bashkëshortja e tij Isa Jaiteh, 30 vjeçe, dhe vajza e tyre 11-muajshe, Aisha, humbën jetën pasi automjeti i tyre tip Hyundai i kuq doli nga rruga A38, pranë Derby-t, gjatë rrugës për në Leeds. Në aksident humbi jetën edhe një 18-vjeçar, i cili besohet se ishte një i afërm i familjes, shkruan Metro.
I njohur nga të gjithë si Abu, Camarra ishte një figurë e respektuar në komunitetin gambian në Leeds. Ai ishte një trajner shumë i dashur i futbollit për të rinjtë dhe punonte me përkushtim për t’i mbajtur fëmijët larg kriminalitetit, dhunës me thikë dhe përdorimit të drogës.
Abu dhe bashkëshortja lanë pas edhe dy fëmijë të tjerë, të cilët tashmë janë vendosur nën kujdesin e gjyshërve të tyre.
