Ajo që duket si afërsi e fortë mund të ketë një shpjegim krejt tjetër – dhe sinjalet shfaqen pikërisht kur pasioni mungon Jo çdo përvojë e shkëlqyer seksuale është shenjë e një lidhjeje cilësore.
Ndoshta keni dëgjuar dikë të thotë se po përjeton “seksin më të mirë të jetës”, ndërsa njëkohësisht kontrollon vazhdimisht mesazhet, analizon çdo reagim të partnerit dhe pyet veten se ku qëndron marrëdhënia. Ndoshta edhe vetë e keni përjetuar këtë kontrast – një lidhje të fuqishme fizike të shoqëruar me pasiguri emocionale.
Shpesh kiminë seksuale e shohim si shenjë pozitive, ndërsa ankthin si diçka kalimtare. Megjithatë, hulumtimet tregojnë se këto dy përvoja mund të jenë më të lidhura sesa mendojmë. Një studim i publikuar në International Journal of Environmental Research and Public Health sugjeron se kënaqësia seksuale nuk buron gjithmonë nga siguria emocionale.
Në disa marrëdhënie, ajo mund të ushqehet pikërisht nga ankthi. Në studimin me më shumë se 300 gra të rritura, ato me stil ankthioz të lidhjes raportuan nivele më të larta të eksitimit, orgazmës dhe kënaqësisë së përgjithshme seksuale krahasuar me gratë me stil të sigurt të lidhjes.
Pra, gratë që kishin më shumë frikë nga braktisja, kërkonin konfirmim të vazhdueshëm dhe e përjetonin rëndë distancën emocionale, shpesh raportonin kënaqësi më të madhe seksuale. Por prapaskena është më komplekse, transmeton Telegrafi.
Kur seksi bëhet konfirmim i lidhjes Te personat me stil ankthioz të lidhjes, seksi mund të shërbejë si mënyrë për të qetësuar frikën dhe për të rikthyer ndjenjën e afërsisë. Kur distanca emocionale perceptohet si kërcënim, intimiteti seksual mund të bëhet një lloj prove se partneri është ende aty dhe se marrëdhënia vazhdon.
Kështu krijohet një lloj “kurthi i konfirmimit”: seksi është intensiv dhe i kënaqshëm sepse përkohësisht e zvogëlon ankthin. Por nëse mungon, refuzohet ose nuk i përmbush pritjet, pasiguria mund të rritet përsëri.
Studime të tjera kanë treguar gjithashtu se personat me stil ankthioz të lidhjes mund të kenë dëshirë më të fortë seksuale dhe përfshirje më intensive emocionale, sidomos kur nuk ndihen të sigurt në marrëdhënie. Në anën tjetër, stili shmangës i lidhjes është shoqëruar me kënaqësi më të ulët seksuale dhe me më pak afërsi emocionale gjatë seksit.
Intensiteti dhe intimiteti nuk janë e njëjta gjë Një marrëdhënie shumë intensive nuk është domosdoshmërisht një marrëdhënie e sigurt. Personat emocionalisht të sigurt zakonisht e përjetojnë seksin si afërsi dhe kënaqësi, por pa ndjesinë se prej tij varet e gjithë marrëdhënia.
Një periudhë pa seks nuk shkakton menjëherë panik dhe një “jo sonte” nuk interpretohet automatikisht si refuzim apo mungesë dashurie. Kur kënaqësia seksuale ushqehet nga ankthi, seksi mund të bëhet shumë më i ngarkuar emocionalisht dhe më i rëndësishëm për ndjenjën e sigurisë. Pikërisht për këtë arsye, përvoja mund të jetë njëkohësisht shumë intensive, por edhe e brishtë.
Çfarë ka më shumë rëndësi? Një nga gjetjet më të rëndësishme të studimit ishte se kënaqësia me vetë marrëdhënien lidhej më fort me mirëqenien seksuale sesa vetëm stili i lidhjes. Gratë që ndiheshin emocionalisht të lidhura me partnerin raportonin funksionim më të mirë seksual, nga eksitimi deri te orgazma dhe kënaqësia e përgjithshme.
Pra, seksi i shkëlqyer nuk është në vetvete dëshmi se marrëdhënia është e qëndrueshme dhe emocionalisht e sigurt. Ndonjëherë ai mund të jetë pikërisht ajo që përkohësisht mban të bashkuar një marrëdhënie të mbushur me pasiguri. Kjo nuk do të thotë se pasioni është shenjë e një marrëdhënieje të keqe.
Por është e rëndësishme të kuptohet nga buron ai pasion dhe çfarë roli ka seksi në marrëdhënie. Sepse siguria në një lidhje nuk duhet të ndihet vetëm gjatë seksit – duhet të ekzistojë edhe kur ai mungon.
