Drejtori i Bujqësisë në Rahovec: Dëmet nga vërshimet i kalojnë 400

0%

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Rahovecit, Behar Thaqi, ka deklaruar se reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta kanë shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi dhe infrastrukturë, duke bërë thirrje që Qeveria e Kosovës të ndërhyjë me mbështetje për fermerët.

Sipas Thaqit, dëmet më të mëdha janë regjistruar në sektorin e bujqësisë, veçanërisht te kulturat e specit, pjeprit dhe shalqirit. “Dëmet janë të konsiderueshme, sidomos në sektorin e bujqësisë. Kemi dëme në kulturat e specave, pjeprit dhe shalqirit” , tha ai. Ai bëri të ditur se vetëm erërat e forta të 27 korrikut kanë shkaktuar dëme që arrijnë në rreth 100 mijë euro.

“Fatkeqësisht, dëme kemi pasur më 27 korrik. Erërat e forta kanë shkaktuar dëme deri në 100 mijë euro”, u shpreh Thaqi. Ndërkaq, ai rikujtoi se edhe vërshimet e 5, 6 dhe 7 janarit kishin lënë pasoja të mëdha financiare. “Më 5, 6 dhe 7 janar ka pasur vërshime të mëdha. Sipas komisionit vlerësues, dëmet arrijnë deri në 167 mijë euro”, deklaroi ai.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Thaqi tha se edhe reshjet e mëngjesit të së hënës kanë dëmtuar rëndë infrastrukturën rrugore, ndërsa vërshimet kanë shkaktuar humbje të reja për fermerët. “Edhe infrastruktura rrugore ka dëme të konsiderueshme. Edhe mëngjesi i sotëm ka prishur infrastrukturën rrugore mbi 50 mijë euro, ndërsa vërshimet kanë shkaktuar dëme te fermerët mbi 100 mijë euro” , tha drejtori i Bujqësisë.

Ai theksoi se institucionet komunale mund të bëjnë vetëm evidentimin e dëmeve, ndërsa kompensimi i tyre është përgjegjësi e nivelit qendror. “Ne si institucione komunale nuk mundemi të bëjmë asgjë, përveç evidentimit të tyre. Kjo i përket Qeverisë. Qeveria duhet të mendojë seriozisht dhe t’i ndihmojë fermerët dhe bujqit”, u shpreh Thaqi.

Sa i përket dëmtimeve në rrugë, ai tha se shkaku kryesor ishte sasia e jashtëzakonshme e reshjeve dhe jo cilësia e punimeve. “Sot ka rënë aq shumë shi, sa nuk ka mundur ta përballojë toka. Nuk besoj se është keqpërdorim i punimeve apo se nuk janë bërë në mënyrë efikase, por ka rënë një sasi shumë e madhe shiu”, përfundoi ai.

Burimi: Bota Sot