Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka reaguar duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për përdorim të profileve të rreme dhe fushata të koordinuara të dezinformimit. Në një reagim të publikuar në Facebook, AAK ka deklaruar se një praktikë e tillë, sipas saj, është shndërruar në një “shenjë dalluese të kulturës politike” të ndërtuar nga LVV gjatë viteve të fundit.
“Përdorimi i profileve të rreme, fushatave të koordinuara të dezinformimit dhe linçimit politik është bërë shenjë dalluese e kulturës politike që ka ndërtuar Lëvizja Vetëvendosje gjatë viteve të fundit”, thuhet në reagimin e AAK-së.
Sipas kësaj partie, qëllimi i këtyre veprimeve nuk lidhet vetëm me procese zgjedhore, por edhe me ndikimin në perceptimin e qytetarëve ndaj institucioneve dhe aleatëve ndërkombëtarë të Kosovës. “Qëllimi i kësaj propagande nuk është vetëm elektoral.
Synimi është delegjitimimi i të gjitha të arriturave të shtetit të Kosovës, rrënimi i besimit të qytetarëve në institucionet e shtetit dhe ulja e besimit në aleatët tanë strategjikë”, ka deklaruar AAK. Aleanca u ka bërë thirrje Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës që të hetojnë rastet që lidhen me profilet e rreme dhe fushatat e koordinuara të dezinformimit.
“Aleanca kërkon nga Prokuroria dhe Policia e Kosovës që të hetojnë dhe të ndjekin penalisht çdo person që organizon ose merr pjesë në rrjete të profileve të rreme dhe fushata të koordinuara të dezinformimit”, thuhet në reagim. AAK ka theksuar se, sipas saj, mbrojtja e demokracisë duhet të bazohet në sundimin e ligjit dhe përgjegjësinë institucionale.
“Demokracia nuk mbrohet me ushtri profilesh të rreme, por me sundim të ligjit dhe përgjegjësi”, përfundon reagimi i kësaj partie.
