Një lajm i rëndë e ka tronditur futbollin italian dhe veçanërisht klubin A.C. Trento 1921. Futbollisti i talentuar i sektorit të të rinjve, Sami Said e ka humbur jetën në moshën vetëm 18-vjeçare pas një aksidenti rrugor në Marok. Klubi italian e ka bërë të ditur lajmin me dhimbje të madhe, duke shprehur ngushëllime për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur të riun.
Trento theksoi se Sami ishte pjesë e familjes së klubit dhe se kishte ndarë me shokët, trajnerët dhe drejtuesit një rrugëtim të rëndësishëm sportiv dhe njerëzor. “Sami ka qenë pjesë e familjes sonë verdheblu. Përballë një tragjedie të tillë, çdo fjalë bëhet e tepërt. Mbetet vetëm një boshllëk i madh ”, ishte mesazhi i klubit A.C. Trento 1921.
Vdekja e talentit të ri ka shkaktuar pikëllim të madh në ambientin e klubit dhe në futbollin lokal italian, ndërsa shumë persona e kanë shprehur afërsinë dhe solidaritetin e tyre me familjen e Sami Said në këtë moment të vështirë.
