Qytetarët janë mbledhur këtë të hënë përpara Kuvendit të Shqipërisë në protestën e 58-të radhazi, e cila përkon me zhvillimin e seancës së fundit plenare të këtij sesioni parlamentar. Sipas gazetarit Osman Stafa, protestuesit nuk do të qëndrojnë vetëm përpara Parlamentit, por do të ndahen në disa pika strategjike të kryeqytetit.
Ata pritet të pozicionohen pranë Kuvendit, Ministrisë së Brendshme dhe në Rrugën e Elbasanit, në pritje të mbërritjes së ministrave dhe deputetëve. Ndërkohë, Policia e Shtetit ka marrë masa të shtuara sigurie. Sipas raportimeve, në disa raste efektivët kanë tentuar t’i largojnë protestuesit nga vendet ku ishin vendosur.
Perimetri i sigurisë është përforcuar me një gardh të gjerë policor, i përbërë nga dy rreshta të forcave “Shqiponja” dhe një rresht të efektivëve të Forcës Kombëtare të Sigurisë (FNSH), ndërsa zona përreth Kuvendit vijon të monitorohet nga një numër i madh forcash policore.
Situata deri tani paraqitet e qetë, ndërsa pritet zhvillimi i mëtejshëm i protestës dhe mbërritja e deputetëve në Kuvend.
