Drejtori i Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nëna Terezë”, Zef Shala, ka deklaruar se kjo organizatë kishte një rol vendimtar në mbështetjen e qytetarëve të Kosovës gjatë viteve ’90, duke krijuar një rrjet të gjerë të ndihmës humanitare, shëndetësore dhe sociale.
Në një intervistë në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Shala tha se shoqata u themelua në rrethana të jashtëzakonshme, pas suprimimit të autonomisë së Kosovës dhe largimit të dhunshëm të shqiptarëve nga institucionet publike.
Sipas tij, iniciativa u legjitimua më , me pjesëmarrjen e 127 themeluesve, ndërsa qëllimi ishte krijimi i një organizate humanitare dhe vullnetare, e hapur për të gjithë, pa dallime kombëtare, fetare apo racore. “Shoqata ishte institucion humanitar, vullnetar, jo religjioz dhe jo fetar, por për të gjithë”, deklaroi Shala shkruan Telegrafi.
Ai tregoi se, brenda një periudhe të shkurtër, “Nëna Terezë” arriti të krijonte 44 degë dhe 636 nëndegë në Kosovë, ndërsa jashtë vendit u themeluan edhe 38 degë, kryesisht në shtetet ku jetonte diaspora shqiptare. Sipas Shalës, në këtë rrjet ishin angazhuar rreth 7,200 vullnetarë, të cilët organizonin mbledhjen dhe shpërndarjen e ndihmave në të gjithë territorin e Kosovës.
Aksioni i parë i organizuar ishte “Familja ndihmon familjen”, i cili më pas u zgjerua në format “Fshati ndihmon fshatin” dhe “Qyteti ndihmon qytetin”. “Aty ku njeriu është në rrezik, aty jemi ne”, ishte motoja e shoqatës, sipas Shalës.
Ai tha se falë këtij mobilizimi dhe solidariteti, qytetarët që kishin mbetur pa të ardhura dhe pa mbështetje institucionale arritën të siguronin ushqimin dhe produktet më elementare për jetesë. “Prej asaj kohe e deri pas përfundimit të luftës, asnjë njeri në Kosovë nuk ka vdekur nga uria.
Nga lufta dhe plumbi kanë vdekur njerëz, por nga mungesa e bukës nuk ka vdekur askush”, tha Shala shkruan Telegrafi. “Nëna Terezë” krijoi 96 ambulanca në gjithë Kosovën Krahas ndihmës ushqimore, një nga kontributet më të rëndësishme të shoqatës ishte krijimi i një sistemi shëndetësor për shqiptarët e përjashtuar nga institucionet publike.
Shala tregoi se mjekët dhe punëtorët shëndetësorë shqiptarë, të larguar nga spitalet dhe ambulancat, iu bashkuan rrjetit të Shoqatës “Nëna Terezë”. Sipas tij, për një periudhë të shkurtër në Kosovë u hapën 96 ambulanca, në të cilat u angazhuan rreth 1,850 mjekë, infermierë dhe profesionistë të tjerë shëndetësorë.
Në kuadër të shoqatës u krijuan edhe shërbime të veçanta për personat me aftësi të kufizuara, gratë dhe fëmijët. “U stabilizuam në kuptimin institucional dhe shoqata u bë si një mini-qeveri. Shëndetësia, edukimi, humaniteti dhe çështjet sociale ishin të gjitha brenda saj. Me 7,200 vullnetarë dhe rreth 1,800 mjekë e motra medicinale, u bëmë rreth nëntë mijë njerëz”, deklaroi Shala.
Ai foli edhe për maternitetin e krijuar në kuadër të këtij sistemi, ku, sipas tij, ndërmjet viteve 1995 dhe 1997 lindën 13,600 fëmijë. “Ka pasur 13,600 lindje dhe nuk ka vdekur asnjë fëmijë dhe asnjë nënë”, tha ai.
Para bombardimeve u shpërndanë 20 mijë tonë ushqim Me përkeqësimin e situatës dhe fillimin e luftës, Shala tha se shoqata ndryshoi strategjinë e saj, duke u përqendruar te familjet e zhvendosura dhe zonat e prekura nga luftimet. Ai deklaroi se gjatë asaj periudhe rreth 900 mijë qytetarë ishin të zhvendosur brenda territorit të Kosovës.
Sipas Shalës, në bashkëpunim me Programin Botëror të Ushqimit dhe organizata të tjera ndërkombëtare, shoqata arriti të shpërndante rreth 20 mijë tonë, përkatësisht 20 milionë kilogramë ushqim në terren. Konvoji i fundit, sipas tij, ishte shpërndarë më , pak ditë para fillimit të bombardimeve të NATO-s. “E kishim planin mujor për të gjithë Kosovën dhe e realizuam.
Më 15 mars i shpërndamë 20 mijë tonë ushqim dhe pritëm se çfarë do të ndodhte”, u shpreh ai. Shala tha se këto rezerva ushqimore ndihmuan në mbajtjen e popullsisë gjatë muajve të luftës, por paralajmëroi se, po të kishte vazhduar lufta edhe disa javë, vendi mund të ishte përballur me një katastrofë humanitare, pasi rezervat po shteronin.
Pas përfundimit të luftës dhe kthimit masiv të qytetarëve, Shoqata “Nëna Terezë” i riaktivizoi degët dhe vazhdoi shpërndarjen e ndihmave për më shumë se një milion qytetarë, duke marrë pjesë më vonë edhe në rindërtimin e shtëpive dhe në programet për rimëkëmbjen e familjeve.
Shala theksoi se ky kontribut duhet të dokumentohet dhe të njihet nga gjeneratat e reja, duke kujtuar se 113 vullnetarë të shoqatës ishin vrarë gjatë luftës. “Janë 113 dëshmorë të humanitetit, të vrarë me bukë në dorë”, deklaroi Shala. .
