Në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të vazhdojë sot procesi gjyqësor ndaj Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, të cilët akuzohen për përfshirje në sulmin terrorist ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, ngjarje e ndodhur në nëntor të vitit 2023.
Edhe në këtë fazë të procesit, dy të pandehurit kanë mohuar akuzat, duke u deklaruar të pafajshëm, ashtu siç vepruan edhe gjatë paraqitjes së tyre të parë para gjykatës. Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, materialet e siguruara gjatë hetimeve mbështesin dyshimet për përfshirjen e tyre në veprat penale për të cilat po ndiqen penalisht.
Prokuroria ka theksuar gjithashtu se hetimet kanë zbuluar elemente që, sipas saj, tregojnë për përfshirjen e institucioneve të Serbisë në organizimin dhe përgatitjen e sulmit. Gjatë hetimeve, autoritetet kanë konfiskuar armë, municion, pajisje ushtarake, mjete komunikimi dhe prova të tjera materiale.
Sipas Prokurorisë, edhe analizat forenzike, përfshirë testet e ADN-së dhe ekspertizat teknike, i lidhin të akuzuarit me vendin ku ndodhi shpërthimi. Në anën tjetër, avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar qëndrimin e Prokurorisë, duke kërkuar nga trupi gjykues një vlerësim të paanshëm të provave.
Ata pretendojnë se aktakuza nuk përmban përshkrim të qartë të veprimeve konkrete që u atribuohen klientëve të tyre. Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, bashkë me Igor Dimoviqin, akuzohen për cenim të rendit kushtetues, kryerje të veprës terroriste dhe posedim të paautorizuar të armëve. Ndërsa ndaj Jovan Viqentijeviqit rëndon edhe akuza për spiunazh.
Sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, i kryer në fshatin Varagë të Zubin-Potokut gjatë nëntorit 2023, shkaktoi dëmtime të konsiderueshme në një objekt me rëndësi jetike për furnizimin me ujë dhe energji elektrike në Kosovë. Seanca e sotme pritet të fokusohet në administrimin e provave dhe paraqitjen e argumenteve nga të dyja palët. Seanca pritet të filloj në orën .
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
