Stuhitë e fuqishme të kësaj vere shkaktuan dëme në shumë zona të Kosovës. Autoritetet në Prishtinë thonë se kryeqyteti ka kapacitete të mjaftueshme për menaxhimin e emergjencave, ndërsa fermerët kërkojnë zgjidhje më efektive për mbrojtjen e kulturave bujqësore nga breshëri. Vera nuk solli vetëm temperatura përvëluese.
Në shumë zona të Kosovës, moti ndryshoi brenda pak minutash, duke u shndërruar në stuhi të forta me reshje intensive, erëra të fuqishme e breshër, që lanë pas dëme të konsiderueshme. Për Prishtinën, fatkeqësi të tilla natyrore vlerësohet se janë të përballueshme.
Sipas Drejtorit për Siguri dhe Emergjenca, Lulzim Fushtica, kapacitetet ekzistuese bëjnë të mundur stabilizimin e kryeqytetit në situata të tilla.
“Kryeqyteti e ka Brigadën Profesionale të Zjarrfikësve me afro 110 zjarrfikës, policinë e kryeqytetit që asiston çdo herë, e kemi shoqatën Vullnetare të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, Drejtorinë për Siguri dhe Emergjenca, kompania për intervenim në emergjenca me të gjithë makinerinë e rëndë, kamionë, bolduzherë, eskavatorë.
E kemi ndërmarrjen publike të gjelbër, pastrimin”, ka thënë Lulzim Fushtica, drejtor për Siguri dhe Emergjenca, Prishtinë. Fushtica thekson se në vazhdimësi merren masa që dëmet nga dukuritë e tilla të minimizohen.
“Largimi i drunjve me rrezikshmëri, pastrimi i pusetave, kontrolli i fasadve, pastrimi i rrugëve, pastrimi i shtretërve të lumenjve”, ka thënë Lulzim Fushtica, drejtor për Siguri dhe Emergjenca, Prishtinë. Megjithatë, moti i paqëndrueshëm vazhdon të jetë kërcënim për sektorin e bujqësisë.
Për këtë arsye, Ministria e Bujqësisë ka paralajmëruar zgjerimin e mbështetjes për vendosjen e rrjetave mbrojtëse kundër breshrit. Por, fermerët thonë se kjo është vështirë e realizueshme.
“Është e pamundur me i siguru rrjetat, ose mbrojtjet e të gjitha kulturave kundër breshërit, sepse ato janë të dedikuara vetëm për pemëtari e jo për perime…Ajo është kosto, nuk e di qysh e ka llogarit ministri Muja”, ka thënë Gani Dobratiqi, fermer.
Ndërkohë, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës u ka sugjeruar qytetarëve të shmangin qëndrimin në ambiente të hapura gjatë stuhive, të mos strehohen nën pemë, pranë shtyllave elektrike ose objekteve metalike
